Kurti: Vendimi i BQK-së për dinarin, i panegociueshëm

0
143

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për rregulloren e re, sipas të cilës që nga 1 shkurti, të gjitha pagesat në vend duhet të bëhen vetëm në valutën euro, raporton Gazeta Sinjali.

Në një prononcim për media pas homazheve te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti në Podujevë, Kurti ka thënë se vendimet e BQK-së janë të pavarura dhe se ajo vetëm është duke e bërë punën e saj.

Shefi i Qeverisë nuk foli për kërkesat e aleatëve ndërkombëtarë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për rregulloren e re të BQK-së, teksa tha se kjo është një çështje e panegociueshme.

Pra në katër komunat në veri janë katër degë të bankave dhe janë 15 institucione financiare jobankare ku do të mund të dërgohen dërgesat e pagesat dhe ku do të mund të merren të gjitha ato në euro. Euroja është valutë që na vjen nga BE-ja, ne nuk jemi duke i thënë askujt merre valutën lelë të Shqipërisë apo një valutë të re Dardan të Kosovës, por euron, euro si mjeti i vetëm i pagesës edhe i shitblerjes i përcaktuar në mënyrë të qartë në RKS nuk është një çështje e negociueshme”, ka theksuar Kurti.

Ai ka theksuar se rregulloret e BQK-së janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.

Vendimet e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) janë vendime të pavarura, sepse BQK-ja është institucione i pavarur, rregullat të cilat ata i sjellin, rregulloret të cilat ata i miratojnë janë krejtësisht në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, dhe unë besoj që duhet ta lëmë të qetë BQK-në dhe guvernatorin, Ahmet Ismaili, që ta bëjë punën e tija ashtu siç e ka fituar besimin në Kuvend”, është shprehur Kurti.

Kurti ka thënë se guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, po bën punë shumë të mirë dhe e ka shpjeguar saktë se nuk do të kemi probleme me dikë që mund të ketë ndonjë valutë të huaj, por se në Kosovë e vetmja valutë e shkëmbimit, e shitblerjes është euroja.

Ne nuk po dëshirojmë të ndëshkojmë askë, por vetëm të sjellim ligjshmëri, kushtetutshmëri dhe rregullsi, edhe në veriun e Kosovës edhe gjithandej ku ka serbë në Kosovë, që janë një komunitet i cili po ashtu mua me ka kryeministër e Ahmet Ismailin e ka guvernator. Jemi dëshmitarë që me masat që i kemi marr ndaj tyre shumica dërrmuese e tyre kanë llogari bankare në bankat e Kosovës e nëse nuk e kanë edhe hapjen e një xhirollogarie edhe mirëmbajtjen e saj e kanë falas”, është shprehur Kurti.

Në anën tjetër, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se në këto dy ditë do të ketë një dakordim për rregulloren e BQK-së dhe derisa ka krahasuar çështjen e këtij vendimi me çështjen e targave, ajo ka thënë se këto dy ditë do të ketë një dakordim dhe do të dalin më një deklaratë publike.

Unë jam që zbatimi të jetë i plotë e jo vetëm në letër e të gjithë e dinë që të ketë zbatim të plotë duhet përkrahja e aleatëve. Diskutimi ende është duke vazhduar dhe jam e bindur që do të gjejë një zgjidhje e që do të mundësojë që Kushtetuta jonë të zbatohet”, ka thënë Osmani para mediave derisa bëri homazhe në përkujtim të komandantit Zahir Pajaziti.

Ajo ka theksuar se për këtë janë duke u diskutuar një sërë opsionesh, teksa shtoi se aleatët nuk janë kundër Kushtetutës së Kosovës.

Osmani ka thënë se është për keqardhje që ky vendim nuk është zbatuar deri më tani, pasi sipas saj BQK-ja e ka kryer punën e vet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here