Kurti tregon emrin e preferuar për hekurudhën Prizren-Durrës

0
502

Kryeministri Albin Kurti, i ka bërë thirrje qeverisë dhe kompanive austriake që t’i bashkëngjiten Kosovës në ndërtimin e hekurudhës Prizren-Durrës.

Gjatë fjalës së tij në Forumin Ekonomik Kosovë-Austri, Kurti mori shembull punën e Karl Gegës, i cili inxhinier i njohur për dizajnimin e hekurudhave, duke shtuar se Kosova ka nevojë për një ekspertizë teknike si ajo e tij.

Kryeministri madje tha se ‘pse jo mos ta emërojmë hekurudhën me emrin e tij, Karl Gega”.

“Karl Gega herët ka marr titull doktor i shkencave matematikore, ishte inxhinier i njohur. Iu dha titull kalorës nga Mbretëria e Austrisë dhe është varrosur pranë personave më eminent të Austrisë, si Mozarti. Ndërtimi i linjave hekurudhore në Austri janë rezultat i Karl Gegës. Ai ka jetuar në Austri, prandaj e dimë se duhet të kesh ekspertizë të madhe për të ndërtuar projekte të mëdha”.

“Ftoj qeverinë dhe kompanitë austriake që të na bashkëngjiten në projekte infrastrukturore që përfshijnë hekurudhat. Duam të ndërtojmë hekurudhën Prizren-Durrës dhe neve na duhet një ekspertizë teknike si ajo e Karl Gegës dhe pse jo edhe ta emërojmë linjën hekurudhore Karl Gega”.

Kurti ndër të tjera para austriakëve tha se Kosova është vendi më i mirë për bërje të biznesit.

“Kushdo që nuk e di si të investojë në Kosovë, këtu do ta keni një pasqyrë të qartë të bërjes së biznesit. Sipas raporteve ndërkombëtare, Kosova është një ndër vendet më të mira për bërje të biznesit dhe vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka rritur pikët në zhvillimin demokratik”, tha kryeministri.

Por kush është Karl Gega, emri i preferuar i Kurtit për hekurudhën Prizren-Durrës?

Carl Ritter von Ghega, me origjinë shqiptare, të parët e të cilit kishin mërguar në Venedik së bashku me shumë bashkatdhetarë të ikur nga Shqipëria Veriore, pas pushtimit osman, është një inxhinier që magjepsi botën me ndërtimin e tij. Ai lindi më 10 janar të vitit 1802 dhe njihet për veprën e tij të famshme të quajtur Hekurudha e Semmeringut – një kryevepër e mendjes njerëzore, e cila për të gjitha moshat do të mbetet e lidhur me jetën e Gegës. Më 22 qershor 1869, Shoqata Austriake e Arkitektëve dhe Inxhinierëve përuroi në Semmering, Austri, monumentin kushtuar projektorit dhe ndërtuesit më të famshëm të hekurudhave malore në botë, atij që hodhi poshtë një nga dogmat kryesore të shkencës inxhinierike angleze mbi pamundësinë e ndërtimit të hekurudhave malore. Karl Gega bëri të mundur ngritjen e trenave në një lartësi të paprecedentë më parë, rreth 1000 metra mbi nivelin e detit.

Ai ka projektuar gjithashtu dhjetëra rrugë, punime dhe hekurudha në Austro-Hungari në atë kohë (në Austri, Gjermani, Republikën Çeke, Hungari, Sllovaki, Slloveni dhe Itali). Gega vdiq nga pasojat e sëmundjes së tuberkulozit.

Pas vdekjes së tij, Gega u vendos në panteonin e njerëzve më të shquar në Austri, si Mozart, Bethoven, Schubert, Strauss, Brahms dhe Alois Negrell.

Portreti i tij ishte vendosur edhe në kartmonedhat austriake.

Ndryshe, në treg ka edhe pije alkoolike me emrin e Karl Gegës.

Sipas faqes zyrtare të kësaj pijeje, Gega kishte shije shumë unike dhe të veçantë për alkoolin.

“Me një shije të pasur, të thellë dhe ekuilibër të qetë, ne dolëm me një zanat të pijeve dhe likerit të përsosur luksoz që vendosëm ta quajmë Karl Gega. Për më tepër, ne jemi të shtyrë nga lidhja e fortë me natyrën, duke u siguruar të mbrojmë mjedisin në çdo gjë që bëjmë. Për këtë arsye, përbërësit tanë janë fruta të natyrës së paprishur të zgjedhur me kujdes, të vjela me dorë dhe të gjitha këto vetëm për të garantuar cilësinë dhe kënaqësinë absolute”, përshkruhet kjo linjë e pijeve alkoolike në uebsajtin zyrtar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here