Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Republika e Kosovës erdhi nga gjaku i dëshmorëve dhe i martirëve të rënë dhe i secilës jetë të dhënë për lirinë e këtij vendi
Teksa foli në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë, i pari i Qeverisë tha se Republika jonë erdhi nga lufta e lavdishme e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me luftën e tyre të drejtë arritën t’i përfshijnë edhe aleatët ndërkombëtarë.
“Më 17 shkurt 2008, kontinentit të Evropës iu shtua edhe një shtet i ri, kurse botës perëndimore iu shtua edhe një vend ku vlerat demokratike janë thelbi i çdo kursi politik dhe shoqëror. Në një kohë të vështirë politikisht, kur jo vetëm politikanët dhe diplomatët, por edhe teoricienët politikë besonin që kishte perënduar epoka e shtetndërtimeve, shtetformimeve në Evropë, në Ballkan u krijua edhe një republikë parlamentare e mirëfilltë. Kjo falë miliona vullneteve politike që ndër vite thirrën “Kosova Republikë”, derisa këtë parullë politike e kthyen në një emër zyrtar shtetëror”, tha Kurti.
“Shpallja e pavarësisë së Kosovës këtu e 15 vite më parë, ishte rezultat i shumë përpjekjeve dhe sakrificave të skajshme të popullit tonë shqiptar si dhe i ndihmës e përkrahjes aq të nevojshme të partnerëve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë. Krijimi i Republikës së Kosovës, erdhi pas 666 shekujsh të kaluara gjithsej nëpër burgje nga mijëra të burgosur politikë, siç erdhi edhe nga gjenerata të tëra mësimdhënësish që edukuan dhe shkolluan breza të tërë në frymë patriotike dhe atdhedashurie. Republika e Kosovës erdhi nga gjaku i dëshmorëve dhe i martirëve të rënë dhe i secilës jetë të dhënë për lirinë e këtij vendi, siç erdhi edhe nga kontributi i atyre që i drejtuan dhe i zhvilluan proceset politike shtet ndërtuese deri në këtë ditë. Republika jonë, erdhi nga lufta e lavdishme e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me luftën e tyre të drejtë arritën t’i përfshijnë edhe aleatët ndërkombëtarë që më 1999, na ndihmuan të çlirohemi nga Serbia pushtuese. Ishin po këta aleatë ndërkombëtarë, që më 2008, mbështetën po ata faktorë vendorë, në koordinimin e gjithë atyre veprimeve të nevojshme politike dhe proceseve të domosdoshme diplomatike, që kulmuan me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”.