Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka goditur Qeveritë e kaluara, duke thënë se në gjysmë të mandatit po kryhen punë që të tjerët nuk kanë arritur t’i zgjidhnin për 20 vite, raporton Gazeta Sinjali.
Në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Kurti përmendi miratimin në Qeveri, të plotësim-ndryshimit të Ligjit për Skemat Pensionale.
“Duke ndryshuar Ligjin i cili do të mundësojë fitimin e së drejtës që të përfitojnë nga kontributet e tyre edhe ata që për shkak të largimit të dhunshëm nga puna nuk arritën që të përmbushin kushtin prej 15 vitesh kontribut. Kjo arritje i shtohet listës së çështjeve dhe problemeve që të tjerët nuk arritën që t’i zgjidhin për 20 vite e po i rregullojmë që në mandatin e parë, madje në gjysmën të mandatit. Kemi ende shumë punë para vetes por me durim e përkushtim do të arrijmë të përmbushim çdo gjë që e kemi premtuar deri në fund. Pavarësisht pengesave e gurëve që çdo ditë na i hedhin në rrugë, ne nuk ndalemi, i mbajmë dhe i përmbushim zotimet e dhëna ndaj qytetarëve tanë”, tha Kurti.