Kupchan: Kosova ta shtyjë zbatimin e vendimit për dinarin, s’ka nevojë për masa që rrisin tensionet

0
173

Ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Charles Kupchan, ka folur lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për rregulloren e re, sipas të cilës që nga 1 shkurti, të gjitha pagesat në vend duhet të bëhen vetëm në valutën Euro, raporton Gazeta Sinjali.

Kupchan në një intervistë për REL-in ka thënë se Kosova duhet ta shtyjë zbatimin e vendimit, i cili parasheh përjashtimin e valutave tjera nga qarkullimi – përfshirë dinarin serb – e që ka ngjallur reagime të shumta në arenën ndërkombëtare.

Sipas tij, nuk është investim i mirë për Qeverinë në Kosovë, që të bëjë gjëra që mund të shihen si provokuese dhe të panevojshme.

Po. Nëse shohim se çfarë përfiton Kosova kundrejt kostos së një vendimi të tillë, mendoj se duhet të lihet në pritje. Nuk kemi nevojë për më shumë masa që rrisin tensionet.

A po i mban Serbia institucionet paralele? Po. A po u dërgon Serbia fonde serbëve në veri? Po. A po bën gjëra që i inkurajojnë serbët që të mos integrohen plotësisht në Kosovë? Po. E përsëris, kjo është një rrugë me dy drejtime.

Por, mua më duket se nuk është një investim i mirë e afatgjatë për Qeverinë në Prishtinë që të bëjë gjëra që në bashkësinë ndërkombëtare shihen si provokuese dhe të panevojshme”, ka thënë Kupchan.

Hyrja në fuqi e rregullores së BQK-së ka ngritur shqetësime te popullata serbe në Kosovë, e cila ka përdorur dinarin serb për të kryer pagesa. Me këtë valutë, pagën e kanë marrë edhe punonjësit në institucioneve serbe në Kosovë, por edhe me dinarë janë paguar edhe pensionet, sipas sistemit serb si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

Gjithashtu, në zonat ku banojnë serbët, dinarët janë përdorur në objektet tregtare, ndërkaq në katër komunat me shumicë serbe në veri, çmimet janë me dinarë.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, paraprakisht e kishte thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here