Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave ‘Eko Regjioni’ në Prizren, Burim Shala, mbrëmë i është drejtuar stacionit të Policisë për të denoncuar një nga punonjësit e kompanisë që ai drejton. Kjo për shkak se i dyshuari, e kishte telefonuar dhe e kishte kërcënuar në forma të ndryshme për shkak të disa pakënaqësive në punë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali pak më parë raportoi se i dyshuari Q.K., tashmë është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Ndërkohë Sinjali ka kontaktuar edhe me drejtorin Shala, i cili ka rrëfyer në detaje gjithë atë që ka ndodhur mes tij dhe punonjësit të ‘Eko Regjioni’.
Sipas Shalës, pas një takimi që kishte pasur me punëtorët e kompanisë në Suharekë, me të mbërritur në shtëpi, njëri nga ta e kishte telefonuar.
Ai rrëfen për Sinjalin se gjatë kohës që ishte në praninë e familjes së tij të ngushtë, i dyshuari e kërcënonte duke i thënë se do të shkojë në Prizren dhe ta presë atje.
“Pasi që punëtorët janë çu në formë greve në komunën e Suharekës, punëtorët e kompanisë të Eko Regjionit, edhe pas debatit që e kemi kry me ta, që e kemi shpjegu, ka qenë një debat konstruktiv, disa janë pajtu, disa s’janë pajtu, me greva me vazhdu, ok e kemi vazhdu edhe jemi kthy në zyrë. Kam pas mbledhje të bordit, edhe pasi e kam përfundu mbledhjen e bordit kam shku në shtëpi, kam qenë me shoqen me fëmijët, më erdh një telefonatë prej punëtorit, ku filloi me më kërcënu në forma të ndryshme, i thashë shiko: e kemi diskutu na, mos merr kurrgjë personale se keni marrë vesh kolektivi, po mos i ktheni në sene personale. Filloi me fjalë ofenduese, filloi me thanë “më prit në Prizren, po vij në Prizren, prit në Prizren”, tha Shala.
Tutje ai pohon se ka qenë i detyruar të denoncojë rastin në Polici dhe madje me kërcënime u përball edhe gjatë kohës që po jepte dëshminë e tij para hetuesve policorë lidhur me atë që ka ndodhur.
I dyshuari Q.K., kishte vazhduar me telefonata kundrejt Shalës, duke e pyetur vazhdimisht se a është në Prizren.
“Edhe pastaj u detyrova me i lajmëru organet e Policisë, ku edhe e sqarova rastin si ka ndodh qysh ka ndodhë. Duke e dhanë intervistën në Polici, përsëri në prezencë të policëve më ka thirrë në telefon prapë dhe më tha “a je në Prizren, a je në Prizren se po vij në Prizren”. Atëherë e dhashë deklaratën, dola dhe më pas janë marrë Policia me atë rast”, tha ai për Sinjalin.
Tutje kryeshefi i ‘Eko Regjioni’ thotë se ai u kontaktua edhe nga bashkëshortja e të dyshuarit, e cila ka shprehur keqardhjen për atë që ka ndodhur, teksa ka arsyetuar bashkëshortin e saj se vuan nga probleme shëndetësore.
“Nuk di më shumë, përveç familjarëve të vet, gruaja që më ka telefonu më ka thanë e kanë arrestu, më tepër nuk di. Dmth gruja e vet më ka telefonu, më ka thanë jam pastruse në Suharekë, diku në një ambulantë, tha i kam fmitë, e burrin e kam smutë, i thashë po më vjen keq, por duhet me ia bë me dije edhe atij që nuk mundesh me secilin zyrtar me e thirrë në telefon e me e kërcënu. Unë jam drejtor psh, i kemi rreth 500 punëtorë, tash ta zamë neve me na thirrë në telefon 500 punëtorë me na kërcënu për interesa të veta… është sjellë shumë mirë, bile gruja e vet tha se jam kanë prezent kur të ka thirrë, e të ka kërcënu e nij keqardhje. Po unë patjetër u dashtë me lajmëru në Polici”, tha Shala.
Në prononcimin për Sinjalin, Shala tha se sot ka pasur prapë takim me punëtorët e Suharekës, të cilët i ka pritur në zyrën e tij ku edhe i ka njoftuar për atë që i ka ngjarë me njërin prej kolegëve të tyre.
“Sot ishim prapë në takim me punëtorët e Suharekës, ishin në zyrë te unë, diskutova. Iu kallëzova se edhe ata punëtorët kishin thanë që është arrestu për shkak të grevës, aty që ka qenë në takim. Pastaj ua sqarova që s’ka qenë në takim, por më ka thirrë në telefon. Edhe punëtorët tash janë në dijeni… thanë o është smutë, po unë nuk i njoh 500 punëtorë që me e ditë a janë smutë a qysh janë. Unë isha edhe me familje, tash sado kudo e mbulova që s’është kurrgjë që mos me u shqetësu”, përfundoi drejtori Shala.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren ka nisur hetimet ndaj të dyshuarit Q.K., nën dyshimet se ai ka kryer veprën penale ‘Kanosje’./Gazeta Sinjali