Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka shkruar se pret më shumë nga Kosova, pas raportit të fundit të Transparency International për vitin 2023, ku u konstatua se vendi s’ka përparuar nga viti paraprak në luftimin e korrupsionit.
Rohde theksoi në “X” se raporti evidenton shqetësime për ndërhyrjen e vazhdueshme të Qeverisë në gjyqësor dhe se Kosova s’ka përparuar në renditje, për dallim prej Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.
“Progres në Kosovë me zgjedhje por shqetësime për ndërhyrjen e vazhdueshme të qeverisë në gjyqësor. Përfundimi i Transpareny International për Kosovën: ndryshe nga Maqedonia dhe Mali i Zi, nuk ka përparim në renditje. Më shumë ambicie është e mundur dhe e pritshme!”, shkroi ambasadori gjerman.
Transparency International ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës gjatë vitit të kaluar ka ndërhyrë vazhdimisht në gjyqësor dhe se nuk pati vullnet politik “për të hequr dorë prej kontrollit dhe për forcim të mbikëqyrjes së pavarur”.
Kosova është vlerësuar me 41 pikë në raportin e Indeksit për Perceptim të Korrupsionit për vitin 2023, në një metodologji pikësh që zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100-ëshi për një vend pa korrupsion.