Kosova drejt NATO-s në rrugën e kushtëzuar

0
166

Vulë e shtetësisë së Kosovës konsiderohet anëtarësimi në NATO, ndërsa problemi kryesor për këtë është politik – mosnjohja nga katër shtete anëtare. Ekspertët e sigurisë kanë thënë se duhet patjetër të ketë lëvizje drejt marrëveshjes finale me Serbinë, që Kosovës t’i hapet rruga për pranim në organizatën e sigurisë. Sipas tyre, Kosova është e sigurt falë pranisë së KFOR-it dhe bashkëpunimit ushtarak me forcat perëndimore të sigurisë. Pushtimi rus i Ukrainës, sipas tyre, duhet të bëjë që Kosova ta shtojë bashkëpunimin me NATO-n. Për këtë pritet të shërbejë edhe stërvitja shumëkombëshe “Europe Defender 2023”

Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) do ta vuloste shtetësinë e Kosovës për shekujt e ardhshëm dhe do të shuante çdo ambicie të Serbisë për rikthim të armatosur në Kosovë, edhe pse ka shumë punë në këtë rrugë të gjatë, sipas Mentor Vrajollit, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë. Problematike në këtë proces shihen vendet mosnjohëse, që e bllokojnë procesin.

“Qëndrimi i Spanjës në këtë rast është pothuajse në të njëjtën linjë me atë rus dhe aspak në linjë me atë amerikan. Andaj, NATO-ja dhe BE-ja duhet t’i krijojnë mekanizmat që mundësojnë që vullneti i shumicës të mos cenohet nga shtete individuale. Kjo, për faktin se kjo mungesë e harmonizimit të qëndrimeve në mes të këtyre dy organizatave vetëm sa e fuqizon pozicionin e Rusisë dhe të Kinës si kundërshtarë kryesorë të Perëndimit”, ka deklaruar Vrajolli për KOHËN.

Lëvizja e Kosovës drejt NATO-s nuk do të jetë e mundur edhe pa hapa konkretë në marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Vrajollit.

Kosova e gatshme

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, ka thënë se Ushtria e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet për t’u anëtarësuar në NATO, por që problemi, sipas tij, është diku tjetër.

“Ushtria e Republikës së Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore dhe kapacitete të tjera të nevojshme për t’u bërë anëtare e NATO-s. Ky problem (i anëtarësimit v.j.) është politik. Katër vendet e NATO-s (Rumania, Greqia, Spanja dhe Sllovakia) nuk e kanë njohur Kosovën dhe rregullat për anëtarësim janë të qarta: për t’u bërë anëtare e kësaj organizate duhet konsensus i plotë i të gjitha shteteve anëtare. Me marrëveshjen në mes Kosovës dhe Serbisë do të hapet mundësia që edhe ne të jemi pjesë të NATO-s. Pra, nënshkrimi i marrëveshjes automatikisht i hap rrugë Kosovës drejt NATO-s”, ka thënë Kastrati.

Sipas tij, pozicionimi serb kah agresioni rus vetëm sa e komplikon situatën e sigurisë në Evropë. Mbyllja e kapitullit final me Serbinë, edhe për ish-ministrin e Mbrojtjes, Anton Quni, do të ishte mundësi drejt perspektives integruese të Kosovës në NATO. Siç ka thënë ai, marrëveshja finale është e domosdoshme që Kosova të lëvizë përpara në këtë organizatë të madhe botërore.

“Koordinimi i mirë dhe i vazhdueshëm i shtetit tonë me aleatët dhe kryerja e detyrave tona karshi përgjegjësive që na takojnë, përfshirë edhe dialogun me vendin fqinj – Serbinë, konsideroj se do të rezultojnë me epilog pozitiv për perspektivat tona integruese – euroatlantike”, ka thënë Quni.

Sipas tij, prania e KFOR-it në Kosovë është fakti më i fuqishëm i mbështetjes së NATO-s për Kosovën, por vendet mosnjohëse ende e mbajnë pezull procesin integrues. Quni ka thënë se institucionet e Kosovës duhet që në agjendë ta kenë me prioritet sigurinë kolektive, që do të ishte në dobi të Kosovës dhe të vetë NATO-s.

Edhe Ramadan Qehaja është skeptik në integrimin e Kosovës në NATO pa njohjen e katër shteteve anëtare. Eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë ka deklaruar se ky mosdakordim po shihet më së miri edhe në raportet Suedi-Turqi, që shteti i udhëhequr nga Recep Tayyip Erdogan po përdor veton për ta bllokuar anëtarësimin e shtetit suedez.

“Vetoja turke ndaj Suedisë nuk mund të nënvlerësohet. Kërkesat e tyre duket se janë në shpërputhje me parimet thjesht demokratike që kultivohen me shekuj në Suedi, parime këto që do të duhej të ishin universale, pra të aplikueshme për Turqinë. Më duket mjaft interesant dhe i guximshëm qëndrimi i Finlandës e cila thotë se do të pranojë anëtarësim në NATO vetëm në pako me Suedinë. Kjo do ta forcojë pozicionin tutje dhe sikur kam besim që vetoja e Turqisë në ndërkohë do të tërhiqet, sepse është në interesin e Turqisë që ta mirëmbajë kohezionin në kuadër të NATO-s”, ka theksuar ai.

Qehaja u shpreh se lëvizjet integruese do të ishin minimale edhe po të punonin institucionet kosovare, pa pasur heqje dorë nga Spanja, Greqia, Sllovakia dhe Rumania.

Serbia e pafuqishme përballë Kosovës së mbrojtur nga KFOR-i

Anëtarësimi i Kosovës në NATO, sipas ish-komandantit të FSK-së, do të krijonte siguri të mjaftueshme për rajonin dhe Evropën, pasi siç ka thënë ai, kjo faktohet me agresionin rus në Ukrainë, që trazoi Evropën tash e një vit. Mirëpo, ai s’e ka parë me rrezik të madh ndikimin rus në Kosovë.

“Kosova nuk është e rrezikuar sepse KFOR-i është përgjegjës për sigurinë në Republikën e Kosovës. KFOR-i ka kapacitete ushtarake dhe politike të mjaftueshme për misionin që ka. Dhe, gjithashtu Serbia s’e ka as fuqinë e as guximin që të futet në Kosovë”, ka thënë Kastrati.

Ai ka shtuar se pozicionimi i Forcave Ajrore të NATO-s në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi e në Slloveni, ia sigurojnë Kosovës hapësirën ajrore. Sipas tij, vetëm pak minuta i duhen NATO-s të reagojë në rast të ndonjë incidenti eventual mbi “qiellin kosovar”.

“Defender Europe 2023”, mundësi pozitive për Kosovën

Se Kosova është pro NATO-s, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve perëndimore në përgjithësi, mund të dëshmohet edhe me një lëvizje tjetër. Më 22 maj do të nisë “Defender Europe”, stërvitja shumëkombëshe, e përbashkët në shkallë të gjerë dhe e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pos si pjesëmarrëse, Ushtria e Kosovës do të jetë një prej vendeve nikoqire në organizimin e stërvitjeve më masive në Ballkan. Ato do të mbahen në Gjakovë, në fshatin Babaj-Bokës dhe në Aeroportin e Gjakovës.

Nga Forca e Sigurisë së Kosovës do të marrin pjesë mbi 1000 ushtarë me dy regjimente dhe me njësi të tjera.

Ministria e Mbrojtjes ka thënë për KOHËN se stërvitjet e përbashkëta me 25 shtete perëndimore do të zhvillohen deri më 2 qershor, ndërsa pritet të ngrihet ndërveprueshmëria me partnerët e NATO-s, me qëllim që të promovohen aftësitë e një vendi pritës të ushtrimit ndërkombëtar dhe për të dëshmuar se është e gatshme për të zhvilluar misione masive.

“Aktualisht numri i trupave të KFOR-it është rreth 4000, ndërsa raporti ynë me ta si dhe këshilltarët e Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s është i shkëlqyer, ashtu siç është edhe raporti me këshilltarët bilateralë të shteteve partnere me të cilët koordinohemi në mënyrë të vazhdueshme dhe të cilët përkrahin çdo hap të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, kanë thënë në Ministri.

Stërvitjet i ka parë pozitive edhe ushtaraku Kastrati.

Sipas tij, FSK-ja pos që fiton eksperiencë, me stërvitjet e mëdha do të afrohet me organizata të mëdha të sigurisë dhe të mbrojtjes, në rajon, por edhe në aspektin global. Ai ka thënë se stërvitjet e tanishme shumëkombëshe janë të domosdoshme, në periudhën kur “nëse Rusia do të pësojë humbje në Ukrainë, ka rrezik që t’i përdorë armët bërthamore taktike dhe në këtë rast rrezikohet një pjesë e Evropës”.

E prezenca e NATO-s në Kosovë, për ish-ministrin e Mbrojtjes, Anton Quni, është mesazh i fuqishëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, Kosova do të përfitojë shumë në “Defender Europe 2023”, ku, sipas tij, ndër të tjera, do të jepet mesazh i fuqishëm “për vendosmërinë që në këtë pjesë të rajonit të sigurohet paqja dhe qetësia”.

Agresioni rus në Ukrainë, për deputetin e LDK-së, është mundësi e mirë që Kosova dhe NATO-ja të krijojnë forma bashkëpunimi.

Rreziku mbi Evropën dhe një luftë e tretë botërore

Se luftës në Ukrainë s’po i shihet fundit, ka deklaruar edha ushtaraku Kadri Kastrati. Sipas tij, Rusisë fillimisht nuk i dihen as planet e as qëllimet reale, e kjo, siç është shprehur ai, mund ta komplikojë edhe situatën në Evropën e brishtë, duke rrezikuar për një luftë të re botërore.

“Unë mendoj se siguria në Evropë nuk është e mirë pasi që lufta Rusi-Ukrainë nuk do të përfundojë shpejt si kemi menduar. Pastaj askush nuk e di se cilat plane i ka Rusia dhe a e ka qëllim një pjesë të Ukrainës apo gjithë Ukrainën dhe të vazhdojë tutje dhe ta kthejë Rusinë Cariste. Me këto veprime, normalisht që rrezikohet edhe vetë Evropa dhe rreziku për një luftë me NATO-n, gjë që automatikisht do të ishte një luftë botërore”, ka thënë Kastrati.

Sipas oficierit të karrierës, Serbia po e pret fundin e agresionit rus për të marrë anë.

“Viti 2023 do të jetë një vit me rrezikshmëri të lartë së sigurisë për Evropën. Serbia që nga fillimi i luftës në Ukrainë është duke luajtur një lojë të dyfishtë. Është duke pritur skenarin e fundit të kësaj lufte dhe pastaj pozicionohet aty ku e ka sigurinë më të madhe, të sigurisë ekonomike”, ka shtuar ai.

Kastrati ka thënë se Serbia, në njërën anë, po përfiton nga Perëndimi, e Perëndimi po e lajthit Serbinë, duke dashur ta largojë nga Rusia “e kështu Ballkani Perëndimor të marrë drejtimin e BE-së dhe të largohet ndikimi rus”.

Së fundmi Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut u pajtuan me përmbajtjen e Planit evropian. Në një nga nenet aty thuhet se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”. Pavarësisht, kësaj presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të qartë se do ta kundërshtojë pranimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në NATO. Sipas tij, pranimi në këto organizata do të ishte “kapitullim i Serbisë”./Koha

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here