Kryetari i Kuvendit të Kosovës ka dënuar dhunën e përdorur sot në komunat veriore.
Ai parmes një postimi në Facebook ka shkruar se shpreh solidaritetin për ushtarët e lënduar të KFOR-it.
“Dënoj ashpër dhunën e bandave të organizuara kriminale serbe ndaj trupave të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve në terren! Shpreh solidaritetin tim personal dhe institucional për 25 ushtarët e plagosur të misionit paqeruajtës dhe uroj shërim sa më të shpejtë”, ka thënë ai.
Ai ka shkruar se pjesëmarrja e njerëzve të maskuar në atë që u prezantua si protestë, shpërfaqja e simbole të luftërave gjenocidale serbe dhe pushtimit rus në Ukrainë, sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave, përdorimi i mjeteve dhe dhunës së rëndë ndaj trupave të ruajtjes së rendit, tregojnë atë që sipas tij, tashmë dihej ”synimin për ta mbajtur të shkëputur pjesën veriore të vendit tonë nga çdo prekje e ligjit dhe rendit që disponon Republika e Kosovës”.
“Ndërkohë, shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje ambasadave të vendeve mike ta dënojnë ashpër dhunën e strukturave kriminale, të cilat haptazi janë të mbështetura nga presidenti serb, Aleksander Vuçiq dhe që synojnë destabilizimin e vendit tonë! Gjithashtu, i bëj thirrje organeve kompetente të drejtësisë që të nisin hetimet ndaj atyre që i bënë këto akte të dhunshme ndaj trupave të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve të terrenit”, ka shkruar ai.
Konjufca ka thënë se është koha që dhunës t’i përgjigjen me një zë të përbashkët duke shtuar se ajo nuk mund të tolerohet!