Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike -KESCO ka kërkuar shtrenjtimin e rrymës pas mospranimit të subvencionimit nga qeveria, zotim ky i bërë në muajin shkurt.
Ndaj, KESCO sot ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë propozimin për tarifat e reja të energjisë elektrike, duke propozuar dyfishim të çmimit të energjisë.
Propozimi i KESCO-s është që për konsumatorët familjarë, për bllokun 0 deri në 800 kilovatë, tarifa e lartë të jetë 12.68 centë për kilovat, ndërsa tarifa e ultë të jetë 5.43 centë për kilovat.
Ndërsa nëse kalohen 800 kilovatë në muaj, për kilovatët e shpenzuar mbi këtë bllok, KESCO ka propozuar që tarifa e lartë të jetë 23.53 centë ndërsa ajo e ultë 11.09 centë për kilovat.
ZRrE-ja ka njoftuar se KESCO, ka dorëzuar kërkesë zyrtare për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave, ku kjo kërkesë është bërë si rezultat i mungesës së subvencionit të zotuar nga Qeveria e Kosovës.
Po ashtu kjo kërkesë thuhet se erdhi edhe si pasojë e trendit në rritje të çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike.
“Pas pranimit të arsyeshmërisë së detajuar, ZRrE do të shqyrtojë kërkesën e FSHU-së për të parë nëse tejkalohet pragu i materialitetit prej 5% i të hyrave të FSHU-së dhe plotësohen kushtet e Rregullës për të Hyrat e FSHU-së që të hapet Shqyrtimi i Jashtëzakonshëm i tarifave me pakicë për konsumatorët e rregulluar të energjisë elektrike” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.