Zëdhënësi i Këshillit Kombëtar për Siguri të SHBA-së, John Kirby në një konferencë për media ka thënë se Serbia ka grumbulluar numër të madh trupash në afërsi të kufirit me Kosovën. Sipas tij, ky është “një zhvillim shumë destabilizues dhe ne po i bëjmë thirrje Serbisë që të tërheqë forcat nga kufiri dhe të ulë tensionet”.
Kirby ka shtuar se SHBA’të janë duke e monitoruar një dislokim të madh ushatark serb duke e përmendur edhe llojin e armatimit.
“Përtej këtij incidenti, ne po monitorojmë një dislokim të madh ushtarak serb përgjatë kufirit me Kosovën që përfshin një organizim të paprecedentë të artilerisë, tankeve dhe njësive të mekanizuara të këmbësorisë serbe” ka thënë ai.
Kjo deklaratë është mirëpritur nga krerët e shtetit të Kosovës, konkretisht nga presidentja dhe kryeministri.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se mirëpret deklaratën e Administratës Amerikane që i kërkon Serbisë të tërheqë forcat ushtarake nga kufiri me Kosovën. Ajo ka thënë se Shtetet e Bashkuara gjithmonë qëndrojnë pranë Kosovës dhe popullit të saj.
Osmani ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për të punuar ngushtë me SHBA-në dhe aleatët tjerë për sigurinë e vendit.
Po ashtu presidentja Osmani ka thënë se mirëpret deklaratën e administratës amerikane dhe aleatëve tjerë për vënë para drejtësisë kryerësit sulmit terroriste kundër Policisë së Kosovës, për të ulur tensionet.
“Ne mbetemi të përkushtuar për të punuar ngushtë me SHBA-në dhe aleatët tanë të tjerë të NATO-s për të adresuar sfidat e sigurisë dhe për të mbrojtur liritë tona të fituara me vështirësi”, ka shkruar Presidentja Osmani në ‘X”.
Kurse kryeministri Albin Kurti në bisedën telefonike me Këshilltarin për Siguri Kombëtare në Administratën Biden, Jake Sullivan e ka falënderuar ShBA-në për mbështetje, shkruan Reporteri.net.
Mirëpo ai ka kërkuar nga Këshilltari i Biden që të ndihmohet Kosova karshi planeve destruktive të Serbisë për luftë.
“Telefonatë inkurajuese me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Presidentit Biden, Jake Sullivan. E falënderova për mbështetjen e ShBA-së për sigurinë kufitare të Kosovës dhe kërkova rritje të shtuar ndaj planeve të Serbisë për luftë. E sigurova për vazhdim të bashkëpunimit të Policisë së Kosovës me KFOR-in dhe se përkushtimi ynë për t’i mbrojtur të gjithë qytetarët e vendit është i paluhatshëm”, shkruan Kurti, për telefonatën.
Shtetet e Bashkuara kanë dënuar ashpër sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka kërkuar që autorët e krimit të “mbahen përgjegjës përmes një procesi transparent të hetimit”.
Vuçiq, ndërkaq, më herët tha se Blinken ka paralajmëruar masa ndaj Serbisë.
Kosova ka thënë se rreth 30 terroristë të maskuar dhe armatosur kanë sulmuar Policinë në Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Gjatë përleshjeve të grupit të armatosur me Policinë në manastirin e Banjskës, kanë mbetur të vrarë edhe tre sulmues.
Kosova e ka cilësuar sulmin si terrorist dhe ka kërkuar një hetim ndërkombëtar për Serbinë, lidhur me rolin e saj në këtë sulm. Serbia ka mohuar çdo përfshirje.
Më 29 shtator, Millan Radoiçiq, që tha se po jep dorëheqje nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – përmes avokatit të tij e pranoi se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.
Më herët, autoritetet në Kosovë kanë publikuar dëshmi, sikurse një video të incizuar me dron, ku shihej Radoiçiqi i armatosur dhe i veshur me uniformë në Banjskë. /Reporteri