Kosova si demokraci e konsoliduar zgjedhore është lajm i mirë që i drejtohet botës. Tash nevojitet formimi i Qeverisë, pa luksin e stërzgjatjes a kërcënimeve me paralizë. Jetojmë në një botë të ndërlikuar si kurrë më parë, e në të nuk lejohet luksi i paralizave politike.
Nëse do të duhej t’i kuptoja porositë nga zgjedhjet parlamentare të sapombajtura në Kosovë më 9 shkurt dhe t’i përcillja tutje si një mesazh botës, më duket se forma më e mirë do të ishte me këto katër koncepte kyçe.
1. Normaliteti
Republika e Kosovës mbajti zgjedhje të zakonshme parlamentare brenda afatit kushtetues. Zhvillimi i fushatës, organizimi i zgjedhjeve (pos problemit me Webfaqen e KQZ), shprehja e lirë e kandidatëve në tubime e medie, sjellja qytetarëve e partive politike kaloi pa ndonjë incident. Për më tepër, në pjesën veriore të Kosovës qytetarët serbë votuan për herë të parë pa trysni fizike të strukturave të krimit të organizuar të ndërlidhura me politikën.
Normaliteti nuk lë ndonjë mbresë të gjatë posaçërisht kur fillon të mësohesh me të. Por, në Kosovën e më pak se 20 vjetëve më parë janë zhvilluar zgjedhje me vjedhje industriale votash, e këto erdhën pas atmosferës së zgjedhjeve paraprake, kur në njërën prej tyre (ato komunale 2002) u vra kryetari i sapozgjedhur, Ukë Bytyçi.
Kosova është tashmë demokraci e konsoliduar zgjedhore dhe kjo mund të duket pak si një lloj obligimi që çdo shtet duhet të jetë. Por, si e këtillë pak a shumë veçohet prej fqinjëve të saj.
2. Revolucioni që bëhet evolucion
Në zgjedhjet e vitit 2021, Lëvizja Vetëvendosje udhëhoqi një revolucion zgjedhor. Mbi gjysma e votuesve të Kosovës i dhanë votën për të ndalur shtetin e kapur, vjedhjen industriale të pasurisë së Kosovës (në para, tokë e mall) që pasoi vjedhjet industriale të votave, degradimin e ardhmërisë së vendit.
Në zgjedhjet e vitit 2025, Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti ta përsërisë këtë rezultat. Me siguri që një analizë më e hollësishme do të tregonte arsyet nga më të ndryshme, ku dhe pse shkuan votat e vitit 2021, por në mendjen time , ky ndryshim përbën një kalim normal prej revolucionit në evolucion. LVV-ja mori mandat për të treguar se politika duhet t’u shërbejë qytetarëve e jo pasurimit dhe papërgjegjësisë së politikanëve-pra diçka që është e nënkuptueshme në një demokraci por nuk ishte deri më atëherë. LVV-ja po ashtu mori mandat ta shtrijë sundimin e institucioneve të Republikës së Kosovës gjithandej vendit-diçka që duhej të ishte e nënkuptueshme, por nuk ishte deri atëherë. Dhe LVV mori mandat për ta barazuar Kosovën si shtet përballë Serbinë në procesin negociator të Brukselit – diçka që duhej të ishte e nënkuptueshme por nuk ishte zbatuar në realitet.
Më 2025, Lëvizja Vetëvendosje është shpërblyer për punën e vet nga një numër i madh votash (mbi 40 për qind). Por, Kosova ka kaluar prej revolucionit zgjedhor në evolucion qeverisës. Ndryshimet revolucionare nuk mjaftojnë më dhe do të ketë nevojë për dëshmi në çdo dikaster qeverisje. Dinjiteti negociator apo vendosmëria për shtrirjen e sovranitetit të vendit nuk mund të mbulojnë dobësitë në arsim apo dikasteret tjetër.
Konsolidimi në një demokraci zgjedhore është kalimi prej revolucionit zgjedhor në evolucion qeverisës dhe kjo është tashmë periudha në të cilën ka hyrë Kosova.
Në këtë konsolidim rol të rëndësishëm kanë pasur edhe partitë opozitare. Dy prej tyre, me udhëheqje të reja pas revolucionit zgjedhor të vitit 2021, pos kritikës së rëndomtë të pushtetit kanë zhvilluar fushata me oferta të elaboruara zgjidhjesh për problemet në shtet e shoqëri. Që të dyja janë shpërblyer me rritje votash, duke ndërruar kahen negative të cilën e kishin marrë më 2021, por ende shumë larg të sfiduarit të forcës së parë politike.
3. Tri teste të elektoratit
Më 2021 u testua sjellja e elektoratit të Kosovës. Në zgjedhjet parlamentare ai i dha një përkrahje Lëvizjes Vetëvendosje prej më se gjysmës të votave. Diçka më shumë se gjysmë viti më vonë, në zgjedhje komunale, vota zgjodhi në shumicë subjektet e tjera politike për të udhëhequr komunat. Natyra e mandateve ishte tjetër – revolucion në pushtet qendror, evolucion në pushtet komunal. Elektorati tregoi natyrën e këtyre mandateve apo iu adaptua-varet kush si e shikon.
Më 2025 u zhvillua një fushatë e paprecedentë kundër partisë në pushtet dhe liderit të saj. Kjo fushatë nuk ishte e partive opozitare, por e grupacioneve të etabluara në disa medie – qoftë të lidhura në përfitim me pushtetet e kaluara, qoftë duke përfaqësuar interesat e veçanta të pronarëve të tyre, apo rëndom duke i ndërlidhur që të dyja. Fushata mbështetej në fyerje, gjysmë të vërteta e të pavërteta dhe krijoi ambientin e polarizimit të skajshëm. Tubimet zgjedhore, dita e votimit dhe rezultatet zgjedhore megjithatë, nuk reflektuan energjinë e shpenzuar për disa muaj rresht të kësaj fushate negative. Ky testim i elektoratit tregoi se ai është larg më i pjekur se debati zhurmues që zhvillohet çdo natë në disa prej studiove televizive.
Në zgjedhjet e vitit 2025 doli në skenë një koalicion politik që avokonte një agjendë konservatore islamike. Koalicioni nuk fitoi votat e mjaftueshme për të marrë pjesë në Kuvend. Në testimin e elektoratit, ideja e një partie që avokon agjendë fetare nuk kaloi, një sinjal i rëndësishëm për spekulimin që bëhet për ndikimin e religjionit në politikë në Kosovë dhe moskuptimit se në Kosovë çështja e religjionit është e drejtë individuale, e jo agjendë e identitetit kolektiv.
4. Qeveri në kohë tronditjesh
Nga këto zgjedhje e me rezultatin të cilin do ta kuptojmë përfundimisht brenda disa ditëve, ndërsa numërohen votat e fundit, duhet të formohet Qeveria e re.
Ndonëse numrat, së paku kur jam duke shkruar, nuk ofrojnë qartësi për formimin e Qeverisjes çfarë kanë ofruar në zgjedhjet e vitit 2021 dhe për më tepër në stërkomplikimin ku e ka futur veten Kosova me mungesën e reformës për zgjedhjen e presidentit të vendit (e që mund të ndikojë në stabilitetin qeverisës më 2026), më duket se është me rëndësi që të ketë më shumë ndjeshmëri për nevojën që Kosova ta ketë një Qeveri të formuar brenda një afati të rregullt pas certifikimit të mandateve parlamentare.
Ndonëse Kosova ka dëshmuar veten si demokraci e konsoliduar zgjedhore, ndonëse ka hyrë në një normalitet, ndonëse elektorati i saj ka kaluar me sukses testet e sfidat, ndonëse ka kaluar prej revolucionit zgjedhor në evolucion qeverisës, ky vend jeton më 2025 në një botë që është më e ndërlikuar se ndonjëherë më parë që prej Luftës së Ftohtë. Tronditjet gjeopolitike janë aq të mëdha dhe me potencial pasojash që Kosova nuk e ka luksin që të kalojë nëpër paralizë politike.
Shkruan: Veton Surroi
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online