Nicolas Anelka mendon se Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi nuk janë më yjet e dikurshme shkaku i moshës së tyre.
Ish-futbollisti i njohur francez shton se të dy kanë gabuar që kanë vendosur të luajnë ende në nivele të larta në moshën e që kanë.
“CR7” u rikthye në Manchester United vitin e kaluar, ndërsa Messi iu bashkua Paris Saint-Germainit, shkruan “Gazeta Express”.
Megjithatë, ish- sulmuesi mendon se futbollisti portugez dhe ai argjentinas është dashur t’i kalojnë vitet e fundit të karrierës në ndonjë ligë të nivelit më të ulët.
“Karriera e tyre ka marrë fund dhe mendoj se të dy duhet të jenë të kënaqur me atë që kanë bërë dhe arritur në 15 vjetët e fundit. Ishin superiorë ndaj të gjithëve dhe tash është normale që kanë rënie. Messi më ka befasuar më shumë se Ronaldo. Mendoja se do t’ia dilte mbanë në Francë. Për Ronaldon e dija se do të kishte vështirësi në Angli sepse, për mua, Premierliga është kampionati më angazhues në botë”, deklaroi fillimisht Anelka për mediumin “RMC Sport”, përcjell “Gazeta Express”.
“Është dashur që të jenë më inteligjentë. Kjo është ajo që ndodh kur lojtarët duan të luajnë gjatë dhe që nuk janë të përgatitur. Është dashur të zgjidhnin për t’u përballur me një sfidë më pak të komplikuar: nëse dëshiron ta mbyllësh karrierën në kulm, mund të pensionohesh si 33-34 vjeçar. Në të kundërtën, i rrezikon kritikat. Unë kam luajtur deri 36 vjeç, por si 32 vjeçar kam shkuar për të luajtur në Kinë”, përfundoi Anelka, i cili gjatë karrierës kishte luajtur në ekipet e shumta si Paris Saint-Germain, Arsenal, Real Madrid, Liverpool, Manchester City, Fenerbahçe, Bolton, Chelsea, Shanghai Shenhua, Juventus, West Bromwich Albion e Mumbai City FC.
Gjithashtu, ishte edhe pjesë e Kombëtares së Francës.
43 vjeçari e kishte mbyllur karrierën në vitin 2015.