Ekografia, ndonëse shpesh nënvlerësohet në diagnostikimin e sëmundjeve të traktit gastrointestinal, mund të japë sinjale të rëndësishme për praninë e patologjive serioze si kanceri, apo inflamacionet e murit të zorrëve e stomakut.
E përdorur me kujdes dhe në kontekst të saktë klinik, ajo bëhet një armë e fuqishme në duart e mjekut. Por, në realitetin shqiptar, ekografia, si mjeti më i aksesueshëm diagnostik, shpesh përfundon të përdoret në mënyrë të shkëputur dhe të nxituar, duke kaluar nga “hapi i parë” në të vetmin hap.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, radiologu dhe pedagogu dr. Almir Skana, sjell një analizë të thelluar mbi këtë fenomen, duke trajtuar si përfitimet, ashtu edhe kufijtë e ekografisë klinike.
Përmes përvojës së tij të përditshme dhe rasteve konkrete, ai thekson rëndësinë e bashkëpunimit mes radiologut dhe mjekut klinicist, domosdoshmërinë e ndërtimit të një modeli të integruar dhe rolin qendror të marrëdhënies mjek–pacient në procesin e diagnostikimit. Në këtë intervistë, ai na kujton se ekografia nuk është fundi i një rruge, por vetëm një pjesë e saj në rrugën drejt diagnostikimit dhe trajtimit të plotë.
Doktor Skana, ekografia është një nga mjetet më të përdorura diagnostikuese në Shqipëri. Çfarë ka ndikuar në këtë përhapje kaq të madhe të saj?
Në sistemin tonë shëndetësor, ekografia është bërë ndër mjetet më të përhapura të diagnostikimit. E thjeshtë për t’u realizuar, pa rrezatim dhe me kosto të ulët, ajo shpesh shihet si “hapi i parë” në përballjen me shumë simptoma, që nga dhimbjet e barkut, fryrja, dhimbjet e mesit, nyjat limfatike e deri te shqetësimet gjinekologjike apo urinare.
Megjithatë, ju vini në dukje një problem të madh: keqpërdorimin e ekografisë. Si ndodh kjo?
Por, pikërisht kjo aksesueshmëri ka krijuar edhe një sfidë të madhe: keqkuptimin se ekografia mjafton vetë për të dhënë një diagnozë. Në realitetin klinik, ekografia nuk duhet të bëhet si veprim i shkëputur, por vetëm pas një vizite të plotë mjekësore, ku analizohen simptomat, historia dhe bëhet ekzaminimi fizik i pacientit.
Çfarë rreziku paraqet realizimi i një ekografie pa një kontekst klinik të qartë? Mund të na tregoni ndonjë shembull nga përvoja juaj që e ilustron këtë?
Ekografia pa klinikë është e verbër. Në përvojën time të përditshme, kam pasur raste të shumta ku pacienti paraqet simptoma të paqarta si fryrje barku, dhimbje të herëpashershme apo ndjesi të pakëndshme në anën e djathtë të barkut. Nëse realizohet vetëm një ekografi, pa ndalur për të pyetur dhe ekzaminuar pacientin, ekziston rreziku i një interpretimi të cunguar, apo edhe të gabuar.
Po ju sjell disa shembuj: Një grua rreth të 40-ave, me histori të përsëritura shqetësimesh pas ushqyerjes, rezultoi të kishte një intolerancë ushqimore dhe mungesë enzime tretëse; një diagnozë që nuk del në ekran, por që kuptohet vetëm përmes bisedës dhe analizës klinike. Një tjetër rast i freskët: një djalë i ri me nyje limfatike të zmadhuara në qafë. Ekografia tregonte një pamje reaktive, por ajo që i dha drejtim rastit ishte konteksti klinik dhe analiza laboratorike që e pasoi, duke arritur në një trajtim të saktë dhe shmangien e alarmit të panevojshëm.
A mund t’i zbulojë ekografia problemet e stomakut dhe zorrëve?
Shumë njerëz mendojnë se ekografia nuk është efektive për traktin gastrointestinal, por e vërteta është ndryshe! Ekografia mund të zbulojë dy patologji kryesore: kancerin, ndryshimet strukturore të dyshimta mund të identifikohen herët, inflamacionin ku enjtja dhe trashja e murit të zorrëve apo stomakut mund të dallohen qartë. Mos neglizhoni shqetësimet tuaja! Nëse keni dhimbje barku, fryrje apo probleme të tjera gastrointestinale, një ekografi mund të japë përgjigjet që kërkoni.
Cili është roli i marrëdhënies mjek–pacient në këtë proces diagnostik?
Teknologjia nuk mund të zëvendësojë procesin mjekësor. Për të interpretuar drejt imazhin, duhet më parë të kesh dëgjuar dhe kuptuar historinë e pacientit. Ekografia është një dritë ndihmëse, por nuk udhëheq e vetme. Në auditorët ku jap mësim si pedagog, theksoj vazhdimisht: “Mësoni të flisni me pacientin përpara se të flisni me aparatin”.
A ka një boshllëk në bashkëpunimin midis radiologëve dhe mjekëve klinicistë në Shqipëri
Një nga boshllëqet më të mëdha në sistemin tonë është mungesa e një modeli të integruar kliniko-imazherik. Shpesh, mjekët referojnë për ekografi pa informacion klinik të qartë, ndërsa nga ana tjetër, radiologët kufizohen vetëm në pamjen vizuale pa u përfshirë në analizën më të gjerë.
Si mund të përmirësohet ky model? Zgjidhja?
Bashkëpunim dhe komunikim. Pikërisht këtë model kemi ndërtuar, ku çdo ekografi është vazhdim i një vizite të plotë klinike, dhe çdo interpretim imazherik vjen pas një diskutimi të thelluar me pacientin dhe kur është e nevojshme me mjekun klinicist që ndjek rastin.
Sa rëndësi ka edukimi i pacientëve në përdorimin e ekografisë?
Nevojitet një fushatë e gjerë edukimi shëndetësor për të bërë të qartë se ekografia është një mjet, jo një zëvendësim i mjekësisë. Ajo nuk është “karta magjike” që zbulon gjithçka, por një pjesë e një puzzle që kërkon bashkimin e klinikës, laboratorit dhe përvojës.
Cili është mesazhi juaj për përdorimin e ekografisë në mënyrë të mençur?
Ekografia është një armë e fuqishme në duart e mjekut, por vetëm kur përdoret në mënyrë të arsyetuar dhe me integritet profesional. Në vend që të mbetet mjeti i parë dhe i fundit, ajo duhet të jetë një hallkë e fortë në një zinxhir diagnostik të mirorganizuar. Le të mos e përdorim ekografinë për të zëvendësuar dijen, por për ta thelluar atë. Le të mos e përdorim si fund të diagnostikimit, por si bashkudhëtare të kujdesit të kujdesshëm dhe të personalizuar.