KB Trepça e ka nisur me fitore sezonin e ri basketbollistik.
Kampioni në fuqi, në palestrën ”Minatori” në Mitrovicë, e mposhti nënkampionin, Golden Eagle Yllin me rezultat 77-67 (23:17, 21:16, 20:16, 13:18, në ndeshjen e vlefshme për javën e dytë, shkruan IndeksOnline.
Mitrovicasit e nisën për mrekulli ndeshjen, me një seri të jashtëzakonshme 16:2, por mysafirët u këndellen, ku çereku i parë përfundon 23:17. ‘Xehetarët’ për një nuancë ishin më të mirë edhe periudhën e dytë, për të shkuar në pushim me shifrat 44:33.
Vendasit vazhduan me lojë edhe në periodën e tretë, ku arritën epërsinë deri në 16 pikë, 59:43. Ylli tentoi rikthimin në dhjetë minutat e fundit, por nuk ia arriti qëllimit dhe Trepça triumfoi 77:67.
Më i miri te vendasit ishte Desmond Cambridge Jr me 20 pikë e tetë kërcime, kurse te mysafirët më i miri ishte Terrell Brown me 35 pikë e nëntë kërcime.