Zakonisht jemi mësuar të themi dita “D” para çdo procesi të rëndësishëm politik, por kësaj radhe kemi të bëjmë me javën më kruciale, më historike dhe më vendimtare për Kosovën që nga Konferenca e Rambujesë e vitit 1999 e deri më sot.
Raportet me SHBA-në, fondamentale për Kosovën
Afatet e përcaktuara nga ana e ndërmjetësit të dialogut Kosovë-Serbi, përkatësisht e emisarit amerikan të shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar për kryeminitrin Albin Kurti, janë pak më tepër se afatizim, janë kryqëzim, pasi i ka dhënë vetëm dy ditë afat që të pajtohet me kërkesat e SHBA-së.
“Duhet të merremi vesh për këtë sot dhe nesër sepse të premten unë dhe Lajcak duhet t’u raportojmë eprorëve tanë se a ishim të suksesshëm apo jo”.
Escobar tha prerazi, se “nëse Kosova nuk do të ndërmarrë veprimet e kërkuara, do të ketë pasoja në raportet mes SHBA-së dhe Kosovës…”.
Kostoja e prishjes se raporteve me SHBA-të mund të jetë e lartë për Kosovën.
Ruajtja e raporteve të mira me SHBA-të, me gardianët pavarësisë së shtetit tonë është çështje fondamentale për të ardhmen e shtetit tonë.
Mospërmbushja e kërkesave amerikane nga ana e kryeministrit mund të çojë në një zhvillim të ri politik, e ai mund të jetë organizimi i një konference ndërkombëtare në të cilën do të merren vendime pa e pyetur fare Kosovën dhe Serbinë.
Pas së cilës konferencë mund të nxjerret një rezolutë e re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e cila do t’i percaktojë qartë kompetencat e Asociacionit dhe sovranitetit e shtetit të Kosovës konformë rrethanave të reja politike.
Një ndarje e tillë arbitrare e sovranitetit nuk do t’i shkon për shtati Kosovës në asnjë rrethanë.
Dilemat e Kurtit, sa të arsyeshme, po aq sfiduese për Kosovën
Pranimi i kërkesave të parashtruara nga amerikanët nuk duhet kuptuar si dobësi, por si pragmatizëm politik të Albin Kurtit. Në të kundërtën çdo mospërfillje e atyre kërkesave do të jenë tepër sfiduese për Kosovën.
Albin Kurti ndodhet para dilemës “Hamletiane”, të pranojë rënjen e imazhit para qytetarëve të vendit për të mirën e shtetit apo të mbetët këmbëngulës në qëndrimet e tij politike, duke e dëmtuar rëndë të ardhmen e shtetit!
Sipas mendimit tim, më mirë është për Albin Kurtin që ta pranojë opcionin e parë duke i pranuar rekomandimet dhe kërkesat e parashtruara sesa të cilësohet si person i dëmshëm dhe i padëshiruar nga perëndimi.
Kreministri Kurti nuk ka shumë kohë për t’u menduar, andaj pa humbur kohë duhet ta zgjedhë njërën prej dy zgjidhjeve. Pasi ndodhet në pikën e pakthim ku duhet të pozicionohet në një njërën nga dy rrugët njëkahëshe!
Unë pres nga kryeministri i vendit tim, që të jetë pragmatik në vlerësimin e situatës dhe i arsyeshëm në marrjen e vendimeve para këtij momentumi politik dhe situatës në të cilën ndodhet shteti i Kosovës pas zhvillimeve të fundit. Çdo gabim eventual i Albin Kurtit në këto momente mund të jetë fatal për shtetin e Kosovës!
Shkruan: Florim ZEQA
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online