Interi ka interes për një tjetër talent shqiptar! Ndërsa po shijon fantazinë e Kristjan Asllanit dhe ka monitoruar edhe mesfushorin tjetër kuqezi Ylber Ramadani që luan te Leçe, klubi zikaltër po vëzhgon me kujdes Roko Vatën. Djali i ish-kapitenit të kombëtares Rudi Vata luan për të rinjtë e Sëlltikut.
Përfaqësues të klubit milanez ishin të pranishëm në takimin Lazio-Celtic të vlefshëm për UEFA YOUTH League. Skocezët fituan me rezultatin 2-0 në stadiumin “Fersini”, raporton tabloidi skocez “Daily Record”.
Sulmuesi i krahut vlerësohet për zotësinë e tij në fushë dhe nuhatjen ndaj golit. Roko Vatës i përfundon kontrata në verë me Sëlltik dhe zikaltrit mund ta marrin për rreth 400 mijë euro në total.
Por Interi nuk është klubi i vetëm i Serie A që e kërkon 18 vjeçarin, që ka luajtur për “Shpresat” e Irlandës. Edhe Torino kërkon shërbimet e tij, ashtu si edhe Frosinone.