Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) përmes një komunikate drejtuar mediave, ka thënë se sesioni pranveror i Kuvendit u karakterizua nga mungesa e vazhdueshme e kuorumit në seancat parlamentare.
Në një njoftim për medie, IKD ka thënë se sesioni pranveror i Kuvendit filloi me 54 pika të rendit të ditës të cilat në vitin 2022 në mungesë të kuorumit dhe dështimit të dhjetëra seancave nuk u votuan nga Kuvendi.
“Kuvendi i Kosovës filloi sesionin pranveror në vitin 2023 pa diskutuar në Kryesinë e Kuvendit mbi Programin e Punës për sesion dhe pa e miratuar atë në seancë plenare si dhe nuk miratoj kalendarin e punimeve një mujore, ashtu siç kërkohet me Rregulloren e Kuvendit”, thuhet mes tjerash në reagim.
Sipas komunikatës, sa i përket zbatimit të Rregullores së Kuvendit të Kosovës gjatë seancës plenare, Kuvendi i Kosovës zhvilloi punime pa u miratuar rendi i ditës në seancë plenare për arsye që ky rend i ditës, nuk u votua në Kryesinë e Kuvendit në mungesës të kuorumit.
“Seanca ku u shpërfaq një praktikë e tillë e shkeljes së Rregullores së Kuvendit ishte seanca e datës 13 korrik 2023, ku fillimisht nuk është votuar rendi i ditës dhe më pas është hyrë në seancë të jashtëzakonshme pa marrë miratimin formal të seancës plenare ashtu siç kërkohet sipas Rregullores së Kuvendit. Formën e thirrjes dhe mbajtjes së kësaj seance, duke pretenduar në shkelje të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, grupi parlamentar i PDK-së me 20 korrik 2023 e dërgoi për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese dhe me kërkesën për anulimin e kësaj seance. Në të njëjtën seancë, puna e Kuvendit u përcoll me përplasje fizike ndërmjet kabinetit të Qeverisë, deputetëve të opozitës dhe të shumicës parlamentare. Prokuroria Themelore në Prishtinë ftoi për intervistim zv. Kryeministrin Besnik Bislimi, Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, deputetët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, Bekim Haxhiu dhe Hajdar Beqa. IKD, konsideron se një praktikë e tillë e sjelljes së deputetëve është në kundërshtim me standardet e larta profesionale dhe etike të cilat janë parakusht për të ndërtuar besim të publikut në punën e përfaqësuesve dhe në integritetin e tyre”, thuhet në komunikatë.