Me 17 shkurt 2023, ka hyrë në fuqi Kodi i Ri i Procedurës Penale. Me hyrjen në fuqi të këtij kodi është shfuqizuar Kodi i Procedurës Penale i vitit 2012.
“Ky Kod hyn në fuqi gjashtë (6) muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, përveç nenit 25, paragrafët 3 dhe 4 të këtij Kodi që fillojnë të zbatohen dy (2) vjet pas hyrjes në fuqi të këtij Kodi”, thuhet në nenin 546 të këtij Kodi.
Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën plenare të 14 korrikut 2022 ka miratuar në lexim të dytë Kodin e ri të Procedurës Penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Miratimi i Kodit të ri të Procedurës Penale ka sjellë disa risi të cilat shkurtimisht janë paraqitur më poshtë.
- Atakimi i vendimeve të Prokurorit të shtetit për hudhje të kallëzimeve penale
Një nga risitë që ka sjellur ky Kod është edhe mundësia e ankesës ndaj hudhjes së kallëzimeve penale nga Prokurori Shtetit, pasi që më parë nuk lejohej ankesë ndaj hudhjes së kallëzimit qoftë nga ana e parashtruesit apo të dëmtuarit nga vepra penale.
Sipas këtij Kodi, në rast se prokurori i shtetit e hudh kallëzimin penal, i dëmtuari ka të drejtën e atakimit të këtij vendimi në Prokurorinë e Apelit.
“Në qoftë se prokurori i shtetit e ka hudh poshtë kallëzimin penal, i dëmtuari ose viktima mund të paraqesë ankesë kundër aktvendimit për hudhjen e kallëzimit penal brenda tetë (8) ditëve nga pranimi i njoftimit sipas paragrafit 4 të këtij neni. Ankesa paraqitet në Prokurorinë e Apelit përmes prokurorisë themelore. Ankesa duhet të përmbajë faktet dhe arsyet e ankesës” thuhet në dispozitat e Kodit të ri të Procedurës Penale.
Lidhur me hudhjen e kallëzimeve penale dhe pushimit të hetimeve, IKD në mars të vitit 2018 kishte publikuar raportin “Luftimi i korrupsionit pa kontroll të gjyqësorit: Persekutimi dhe amnistia e përligjur në emër të korrupsionit”, me të cilin pasqyrohej dëmi që i shkaktohet drejtësisë në fazën e hetimeve, të cilat mund të përfundojnë pa pasur mundësi të kontrollohen nga gjykata.
Sipas këtij raporti, në vitet 2015, 2016, 2017 në procedurën parapenale pa kaluar përmes kontrollit Prokurori i Shtetit ka mbyllur rastet e hetimeve parapenale dhe penale ndaj 1794 personave që janë raportuar lidhur me dyshimet për vepra penale të korrupsionit. Prej tyre ndaj 1,006 personave prokurorët kanë hudhur kallëzimet penale, kurse ndaj 788 personave kanë pushuar hetimet.
IKD në këtë raport por edhe në vazhdimësi kishte kërkuar që gjatë procesit të plotësim-ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale, Ministria e Drejtësisë të adresoj të drejtën e mjetit juridik në rastet e hudhjes së kallëzimit penal.
- Zgjatja e afatit të hetimeve
Deri në tre vite është zgjatur afati i hetimeve me Kodin e ri të Procedurës Penale e që më parë që nga momenti i fillimit të hetimit ky afat mund të zgjaste maksimalisht deri në dy (2) vite e gjashtë (6) muaj.
Sipas këtij Kodi në momentin që Prokurori shtetit fillon hetimet ai duhet t’i përfundojë të njëjtat brenda 2 vitesh, me përjashtim kur gjyqtari i procedurës paraprake autorizon zgjatjen e hetimeve edhe për 1 vit.
“Në bazë të kërkesës së prokurorit të shtetit, gjyqtari i procedurës paraprake mund të autorizojë zgjatjen e hetimit nga paragrafi 1 i këtij neni deri në një (1) vit, kur prokurori i shtetit dëshmon se hetimi është zhvilluar në mënyrë aktive dhe se çdo vonesë është jashtë kontrollit të prokurorit të shtetit”, thuhet në dispozitat e këtij Kodi.
- Qasja në aktakuzë nga publiku
Me Kodin e ri të Procedurës Penale do të kufizohet qasja në aktakuzë deri në shqyrtimin fillestar.
Gjykata sipas këtij Kodi nga momenti i ngritjes së aktakuzës e deri në shqyrtim fillestar lejon qasjen e kufizuar në aktakuzë.
“Nga momenti i ngritjes së aktakuzës dhe deri në shqyrtim fillestar, gjykata sipas kërkesës së palëve mundëson qasjen në inicialet e të pandehurit, kualifikimin ligjor të veprës penale dhe përshkrim të shkurtër të dispozitivit të aktakuzës”, thuhet në dispozitat e këtij Kodi.
Lidhur me të dhënat e lartcekura të aktakuzës nga momenti i ngritjes së saj e deri në mbajtjen e shqyrtimit fillestar, personeli i gjykatës, brenda dy ditëve të punës duhet të ofrojë qasje personit që bën kërkesë. Ndërsa, personi që bën kërkesë për këto të dhëna është përgjegjës që të paraqitet në gjykatë për ta marrë të njëjtat.
Ndërsa, sipas këtij Kodi aktakuza do jetë e qasshme për publikun nga momenti i shqyrtimit fillestar në gjykatë.
Por, jo në të gjitha rastet do të lejohet qasja në aktakuza pasi kjo qasje nuk do të lejohet në rastet e të miturve, rastet e veprave penale të kryera brenda marrëdhënies familjare dhe rastet në të cilat përfshihet integriteti seksual i viktimës apo palëve të treta.
Gjykata Supreme mund ta prish një vendim edhe kur konstaton shkelje në dëm të pandehurit
Në të kaluarën Gjykata Supreme kur kishte çmuar se kërkesa e paraqitur për mbrojtjen e ligjshmërisë në dëm të të pandehurit është e bazuar, vetëm kishte konstatuar shkeljen e ligjit pa ndikuar në vendimin e formës së prerë.
Pra, pa marr parasysh peshën dhe natyrën e shkeljes, aktgjykimi i formës së prerë nuk mund të ndryshohej në dëm të të pandehurit nga Gjykata Supreme.
Një nga rastet më të mëdha kur Supremja kishte konstatuar vetëm shkeljen duke mos pasur mundësi të ndikoj në vendim, kishte qenë rasti ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj.
Supremja kishte gjetur se ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj ishte liruar nga akuzat me shkelje të shumta ligjore.
Ky vendim i Gjykatës Supreme kishte ardhur pasi që rasti ishte kthyer në rivendosje në këtë gjykatë nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas Kodit të ri të Procedurës Penale, Gjykata Supreme mund të ndikojë në vendimin e formës së prerë kur kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë është paraqitur në dëm të të pandehurit, nëse i njëjti vendim është i papërshtatshëm ose i bazuar në gabim të rëndë.
“Kur Gjykata Supreme e Kosovës çmon se kërkesa e paraqitur për mbrojtjen e ligjshmërisë në dëm të të pandehurit është e bazuar, vetëm konstaton shkeljen e ligjit pa ndikuar në vendimin e formës së prerë, përveç nëse vendimi i formës së prerë është qartazi i papërshtatshëm ose i bazuar në gabim të rëndë”, thuhet në dispozitat e Kodit të ri të Procedurës Penale.
- Gjykimi në mungesë edhe për vepra tjera penale
Ndër risitë kryesore që ka sjellë Kodi i ri i Procedurës Penale është fakti se tani, gjykimi në mungesë mund të bëhet edhe për të gjitha veprat tjera penale e jo vetëm për krimet e luftës.
Mirëpo, gjykimi në mungesë për veprat tjera penale mund të bëhet vetëm me përmbushjen e disa kushteve të përcaktuara me Kodin e ri të Procedurës Penale, e që dallon nga gjykimi në mungesë për krimet e luftës për të cilat nuk kërkohet përmbushja e këtyre kushteve procedurale.
Sipas Kodit të ri të Procedurës Penale gjykimin në mungesë, do të vlejnë për të giitha veprat penale me kusht që të akuzuarit të jenë prezent në seancën e shqyrtimit fillestar dhe në shqyrtimin gjyqësor e që në rastet e veprave penale për krime lufte ky kusht sipas këtij Kodi nuk do të vlejë.
Pra gjykimi ndaj të akuzuarve për krime lufte do të zhvillohet edhe nëse ata fare nuk janë në shqyrtimin fillestar dhe në shqyrtimin gjyqësor.
Në rastet e veprave tjera penale i akuzuari konsiderohet se heq dorë nga e drejta për të qenë i pranishëm në shqyrtimin gjyqësor, kur i njëjti ka qenë në seancën fillestare dhe është informuar për seancën e shqyrtimit kryesor dhe kur i njëjti ka qenë i pranishëm në gjykim e më pas nuk është paraqitur në seancat gjyqësore pasuese dhe është informuar për datën e re të shqyrtimit kryesor.
Ndërsa, për të vendosur nëse gjykimi do të mbahet në mungesë të akuzuarit, gjyqtarët janë të obliguat të mbajnë seancë dëgjimore ku përcaktohet dhe vlerësuar arsyen e mungesës së të akuzuarit.
“Për të vendosur nëse do të mbajë gjykimin në mungesë të të akuzuarit, gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues mban seancë dëgjimore për të përcaktuar përse i akuzuari mungon dhe për të vlerësuar çdo sqarim apo dëshmi nëse i akuzuari ka vendosur vullnetarisht të mungojë në gjykim. Në veçanti, në marrjen e këtij vendimi, gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues merr parasysh nëse janë bërë përpjekje të arsyeshme për të gjetur të akuzuarin”, thuhet në Kodin e ri të Procedurës Penale.
Nëse Gjykata, përcakton që i akuzuari vullnetarisht ka vendosur që të mungojë në gjykim, e njëjta për të vendosur nëse do të mbajë gjykimin në mungesë të të akuzuarit gjithashtu shqyrton nëse përmbushet ndonjë prej kushteve si: vështirësinë e shtyrjes së gjykimit, veçanërisht në gjykimet që përfshijnë shumë të akuzuar; barrën mbi prokurorin e shtetit për vijimin e dy gjykimeve që përfshijnë dëshmi të përbashkëta të të bashkëpandehurve dhe nëse vonesa do t’i vë dëshmitarët e prokurorisë në rrezik ose vështirësi të konsiderueshme.
- Mbrojtja e detyruar për vepër penale të dënueshme me të paktën 5 vite burgim
Ulja e kriterit për mbrojtje të detyrueshme është njëra nga risitë më të mëdha dhe më të rëndësishme të Kodit të ri të Procedurës Penale.
Sipas Kodit të vjetër, mbrojtja e detyrueshme ishte paraparë të ishte për vepër penale të dënueshme me të paktën dhjetë (10) vite burgim. Mirëpo, me Kodin e ri të Procedurës Penale kjo ka ndryshuar, pasi tashmë me këtë Kod i pandehuri është i obliguar të ketë mbrojtës edhe për vepër penale të dënueshme me të paktën pesë (5) vite burgim.
“I pandehuri duhet të ketë mbrojtës në këto raste: 1.3.nga momenti i marrjes në pyetje për herën e parë për vepër penale të dënueshme me të paktën pesë (5) vjet burgim”, thuhet në nenin 56, par.1, pika 1.3 e këtij Kodi.
Ndryshe, IKD në raportin me titutll “Ndihma Juridike Falas në Çështjet Penale dhe Zbatimi i Standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nga Gjykatat e Kosovës” kishte rekomanduar që “Shteti duhet të ndajë buxhet të mjaftueshëm për të mbuluar shërbimet e ndihmës juridike falas për të pandehurit e varfër”.
Në Kodin e ri të Procedurës Penale janë bërë edhe ndryshime tjera, mirëpo këto ishin disa nga risitë më të mëdha të cilat i ka sjellë ky Kod.
Që nga data 17 shkurt do të fillojë së zbatuari Kodi i ri i Procedurës Penale./BetimipërDrejtësi