Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ka kritika të mëdha për qeverisjen e Kurtit, dhe mënyrën sesi është zhvilluar procesi i dialogut, porse sipas tij, propozimi evropian duhet të përkrahet edhe nga partitë opozitare.
Lideri i AAK-së ka thënë se e konsideron si arritje të madhe për Kosovën propozimin për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Megjithëse beson se marrëveshja ka mundur të jetë edhe më e mirë me “një kryeministër tjetër”.
Derisa, zyrtarët qeveritarë dhe disa analistë po përsërisin se marrëveshja që pritet të nënshkruhet më 18 mars në Ohër është njohje “de facto” e Kosovës nga Serbia, Haradinaj shprehet edhe më optimistë në këtë drejtim.
“Marrëveshja ka njohjen edhe de-jure në planin ndërkombëtar, por nuk e ka njohjen bilaterale me Serbinë. Kjo e arritur është falë aleatëve tanë dhe me siguri reflekton realitetet në rajon e Kosovë. Kjo është një arritur e madhe e aleatëve tanë, kuptohet duke e reflektuar realitetin e Kosovës por edhe të Serbisë, por edhe të zhvillimeve globale, si e arritur e tillë është arritje e madhe për Kosovën. Aleanca dhe unë e përkrahim marrëveshjen e njohur si propozimi franko-gjerman, që është një e arritur e madhe e aleatëve tanë, veçanërisht me ndihmën e Amerikës, e me të cilën ne ndahemi nga Serbia. Kritikë kemi pasur dhe kemi për mënyrën sesi është menaxhuar procesi i dialogut nga kryeministri Kurti, ashtu siç kemi kritika edhe për qeverisjen në vend”, ka thënë Haradinaj.
Ai beson se Kosova ka pasur mundësi të marrë më shumë nga dialogu.
“Me siguri, ka pasur mundësi tjera, me Qeveri tjetër e kryeministër tjetër, por në rrethanat në të cilën ndodhemi si Kosovë, është një arritje e madhe”, deklaroi Haradinaj për EO.
Haradinaj është shprehur i bindur se marrëveshja do të ratifikohet në Kuvend.