Në shkrimin autorial të publikuar sot në gazetën prestigjioze gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, gazetari dhe njohësi i rrethanave në Ballkan, Michael Martens, shkroi se Këshilli i Evropës së shpejti mund të bëhet me një anëtar të ri, përcjellë Gazeta Blic.
“Sipas informacioneve të F.A.Z. nga Prishtina, qeveria e Kosovës po planifikon të fillojë aplikimin për anëtarësim pas zgjedhjeve në Francë, ndoshta në maj. Kjo mund të bëjë që Kosova të pranohet që në vitin 2023. Perspektivat vlerësohen të mira në kryeqytetin kosovar, sepse përjashtimi i Rusisë do të thotë se aleati më i rëndësishëm i Serbisë ka dalë nga Këshilli i Evropës. Prandaj, një fushatë e suksesshme e Beogradit kundër përfshirjes së Kosovës në shoqatën më të vjetër të demokracive evropiane është më pak premtuese. Ndryshe nga Kombet e Bashkuara, ku Rusia, si fuqi me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit, po bllokon pranimin e Kosovës, apo në BE, ku unanimiteti është kushti kryesor për pranimin e anëtarëve të rinjë, një aplikanti për tu pranuar në Këshillin e Evropës i nevojitet një shumicë prej dy të tretash të votave të shteteve anëtare për t’u pranuar”, shkroi Martens.
Ai më tutje theksoi se pas përjashtimit të Rusisë, Këshilli i Evropës ka ende 46 anëtarë.
“Nga 46 shtete anëtare, 34 prej tyre e njohin pavarësinë e Kosovës, dhe ky numër do të mjaftonte, ngase për pranim Kosovës do ti nevojiteshin vetëm 31 vota.
“Kosova tani ka një mundësi të madhe për të aplikuar për anëtarësim menjëherë. Rusia dhe aleatët e saj nuk janë më në gjendje ta bllokojnë Kosovën”, tha ish-diplomati kosovar, Petrit Selimi.
“Argumenti kryesor duhet të jetë nevoja që kosovarët, duke përfshirë edhe pakicat, të gëzojnë përparësi, siç është qasja në Gjykatën Evropiane për të dretat e njeriut. Mbajtja e Kosovës nën izolim nuk është në interes të sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan. Ne kemi evoluar në një demokraci dinamike dhe të pjekur. Kjo duhet të njihet nga anëtarët në Këshillin e Evropës”, tha Selimi për FAZ.
Martens më tutje shkruan se Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani konfirmoi kah mesi i prillit se “projekti i Këshillit të Evropës” është prioritet në Prishtinë dhe se përparimi në këtë drejtim duhet të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Argumentet që dëgjohen sot në Prishtinë në qarqet qeveritare dhe nga disa kryeqytete perëndimore janë të ngjashme me ato të Selimit. Kosova është një demokraci funksionale, e cila ka pësuar disa ndryshime të qeverisjes të shkaktuara nga zgjedhjet e mbajtura siç duhet, ku humbësit e kanë pranuar humbjen dhe e kanë dorëzuar pushtetin. Ajo që është e padiskutueshme është se kushtetuta e Kosovës u jep të drejta të gjera pakicave. Nuk ka të burgosur politikë. Vendi është gati t’i nënshtrohet juridiksionit të Gjykatës për të Drejta të Njeriut. Kosova ka pranuar refugjatë nga Ukraina dhe mbështet sanksionet evropiane kundër Rusisë, ndryshe nga anëtarët e Këshillit të Evropës, si Serbia dhe Turqia”, shkroi Martens.
“Të gjithë po flasin për faktin se stabiliteti në Ballkan tani është tejet i rëndësishëm. Ministrja e Jashtme e Gjermanisë thotë se rajoni ka nevojë për më shumë vëmendje. Me pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Evropa ka mundësinë që të kaloi nga fjelët në vepra”, thotë një bashkëbisedues, duke shtuar se në këtë mënyrë do të mund të pengoheshin edhe përpjekjet e pritshme të Rusisë për destabilizimin e rajonit. Ky do të ishte një sinjal i qartë për të drejtat e pakicave dhe demokracinë dhe kundër ndryshimeve të dhunshme të kufijve.”, shtoi bashkëbiseduesi.
Sipas Martens, nga këndvështrimi i kosovarëve tani gjëja më e rëndësishme është që të shfrytëzohet momenti.
“Kur është koha e duhur dhe momenti më i përshtatshëm, , nëse jo tani, është pyetja që shtrohet në Prishtinë. Ka pasur një shumicë matematikore për pranimin e Kosovës edhe kur Rusia ishte ende anëtare e Këshillit të Evropës, por politikisht gjërat ishin ndryshe. Rusia siguroi delegacionin më të madh në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (18 anëtarë) dhe loboi intensivisht kundër çfarëdo përpjekje për të afruar Kosovën. Në ndërkohë, Gjermania, me dymbëdhjetë deputetë, është grupi më i madh në parlament që mblidhet çdo tremujor në Strasburg – dhe në delegacionin gjerman ka mbështetje ndërpartiake për planet e Prishtinës”, qartësoi Martens.
Anëtari i Bundestagut, Frank Schwabe (SPD), i cili kryeson fraksionin e përbashkët të Socialistëve, Demokratëve dhe të Gjelbërve në Asamblenë Parlamentare, sugjeroi në mars: “Ne duhet ta afrojmë Kosovën me Evropën. Një mundësi e mirë për ta bërë këtë do të ishte anëtarësimi në Këshillin e Evropës.”
Një gjë të ngjashme e thotë edhe ish-diplomati, Knut Abraham (CDU), i cili ka përvojë në Ballkan dhe është anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Bundestagut, si dhe i Asamblesë Parlamentare.
“Duke pasur parasysh luftën në Ukrainë, tani është tejet e rëndësishme që të bëjmë të paparamendueshme luftën në Ballkan dhe të dërgojmë një sinjal të qartë Në funksion të luftës në se ne nuk tolerojmë asnjë ndryshim të kufijve përmes dhunës dhe se mbrojtja e pakicave dhe e drejtave të njeriut duhet të forcohet. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte hapi i duhur”, theksoi Abraham.
Gjasat dhe mundësitë për këtë nuk kanë qenë kurrë më të mëdha se tani, e përfundon Martens shkrimin e tij, përcjellë Gazeta Blic.