Kampioni në fuqi i Superligës së Kosovës, klubi futbollistik nga Suhareka, FC Ballkani sot do të zhvillojë ndeshjen e parë në rrethin e dytë kualifikues në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, kjo pas eliminimit nga Liga e Kampionëve në raundin e parë kualifikues ndaj FK Zalgiris.
Kampioni i Kosovës do të jetë mysafir i klubit La Fiorita të San Marinos, ku suharekasit shpresojnë që të nxjerrin rezultat pozitiv në këtë ndeshje në udhëtim.
Ndeshja La Fiorita – FC Ballkani zhvillohet sonte (e martë) me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “San Marino Stadium”.
Pasditen e djeshme FC Ballkani ka zhvilluar stërvitjen e fundit në stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja.
Nëse lojtarët e Ballkanit nën udhëheqjen e trajnerit Ilir Daja e kalojnë ndeshjen ndaj Fioritas me sukses, atëherë në raundin e tretë i pret fituesi i ndeshjes mes FK Sutjeska dhe Kl Klaksvik.
Kampioni i Superligës së Kosovës shihet si favorit në këtë takim ndaj klubit të San Marinos, ku një rezultat i mirë do ishte një ndihmesë goxha e madhe për ndeshjen e dytë që zhvillohet në Prishtinë./SO