Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, gjykatësja Shpresa Emra, tha se në tremujorin e dytë të vitit 2022, ka pasur rritje të efikasitetit në disa departamente.
Këtë deklarim, Emra e bëri të premten, në vazhdimin e takimit të 294-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), lidhur me raportimin për punën e Gjykatës Themelore në Prizren dhe degët e saj në tremujorin e dytë (prill–qershor) të vitit 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me Divizonin Civil të kësaj gjykatë, kryetarja Emra tha se efikasiteti i zgjidhjes së lëndëve është 50% për dallim nga tremujori i parë kur ishte 35%.
“Shikuar në tërësi, Divizioni Civil në tremujorin e dytë efikasiteti i zgjidhjes së lëndëve është 66%, për dallim nga tremujori i parë kur ka qenë 53%, më saktësisht në tremujorin e dytë në divizionin civil, kontestimor, jokontestimor dhe përmbarimor në fillim të tremujorit janë trashëguar 9 mijë e 763 lëndë, kanë ardhur në punë 1 mijë 649 lëndë, janë zgjidhur 451 lëndë kontestimore, 36 jokontestimore dhe 449 përmbarimore”, tha Emra.
Tutje, ajo tha se Departamenti për Krime të Rënda në periudhën raportuese ka efikasitetin e zgjidhjes së lëndëve 115%, duke shtuar se në fillim të periudhës raportuese janë trashëguar 161 lëndë, janë pranuar 41 lëndë të reja dhe gjatë këtij tremujori janë zgjidhur 47 lëndë.
Sa i përket Departamentit për të Mitur për periudhen raportuese, Emra tha se ka një efikasitet prej 85%, ku në fillim të periudhës raportuese janë trashëguar 216 lëndë, kanë ardhur në punë 16 lëndë të reja, kurse gjatë këtij tremujori janë zgjidhur 14 lëndë.
Ndërsa, në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal, në këtë tremujor tha se ka pasur zgjidhje të efikasitetit 84%, ku në fillim të tremujorit te dytë janë trashëguar 2 mijë e 415 lëndë, janë pranuar 338 lëndë të reja dhe janë kryer 279 lëndë.
Për divizionin e kundërvajtjes, ajo tha se në fillim të tremujorit ka trashëguar 1 mijë e 791 lëndë, janë pranuar 611 lëndë dhe janë zgjidhur 552 lëndë dhe se sipas saj në këtë divizion punojnë 4 gjyqtarë.
Gjykatësja Emra për Degën në Suharekë tha se në për tre mujorin e dytë në divizionin civil ka pasur efikasitet prej 142%, ndërsa në divizionin penal ka pasur efikasitet 114%.
Ndërkaq, për degën në Dragash ajo tha se në Divizionin Penal është efikasiteti më i ulët i zgjedhjes së lëndëve, me 55% të zgjidhjes së lëndëve në këtë tremujor, e sa i përket Divizionit Civil ka një efikasitet prej 60% të zgjidhjes së lëndëve.
Në fund, ajo tha se sa i përket ankesave disiplinore, gjatë periudhës raportuese ka pasur dy ankesa, të cilat i kanë përcjellë edhe në Këshillin Gjyqësor.
Takimi po vazhdon me pika tjera të rendit të ditës. /BetimipërDrejtësi