Gazeta Sinjali gjatë ditës së djeshme ka raportuar për një rast të frikshëm që i ka ndodhur një 20-vjeçareje në Prizren, pasi e njëjta ishte ballafaquar mbrëmjen e së martës me një person të dyshuar, i cili e ka kapur nga mbrapa dhe ia ka mbyllur gojën.
I njëjti rast, në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën vend, dyshohet t’i ketë ngjarë edhe një vajze tjetër.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se derisa kishte qenë duke ecur rrugës për në banesën e saj, viktima kishte vërejtur se po përcillet nga një person i panjohur.
Me të arritur te hyrja e banesës, i dyshuari e kishte kapur 20-vjeçaren për beli, gjë e cila kishte bërë që viktima në vetmbrojtje ta sulmojë të dyshuarin, duke e goditur në fytyrë.
Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur dhe deri më tash mbetet ende i panjohur për organet e rendit.
Viktima ka denoncuar rastin një ditë më vonë, pasi që sipas, në kohën kur ka ndoddhur ngjarja ka qenë e shqetësuar dhe e frikësuar.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore janë aktivizuar dhe kanë marrë veprimet hetimore që ndihmojnë në identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Ngacmim’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.