Droga s’ka të ndalur – i mituri dyshohet për shpërndarje marihuane pranë shkollës në Prizren, arratiset nga Policia

0
74

Përfshirja e të miturve në veprimtari të jashtëligjshme po shënon rritje shqetësuese. Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në Prizren, ku një i mitur dyshohet se po shiste dhe shpërndante marihuanë në afërsi të një shkolle publike.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se më 06 gusht 2025, rreth orës 23:30, në kuadër të planit operativ “Sezoni Veror 2025”, Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren (DHTN) ka ndërmarrë veprime në shkollën “Lidhja e Prizrenit”, pas informacioneve se aty po zhvillohej shitje e substancave narkotike të llojit marihuanë.

Në vendin e ngjarjes, në një tavolinë pranë hyrjes së objektit të shkollës, janë vërejtur tre të rinj (një vajzë dhe dy djem), të cilët kanë tentuar të ikin sapo kanë kuptuar prezencën e Policisë.

E.B. dhe B.S. janë ndaluar, ndërsa E.G. (2008), i dyshuari kryesor për shpërndarje të marihuanës, ka arritur të shmanget arrestimit dhe ndodhet në arrati.         

Gjatë kontrollit në vendin e ngjarjes janë sekuestruar dëshmi materiale, përfshirë: 7.27 gram dhe 0.68 gram marihuanë, një grinder (mulli për bluarje), si dhe dy kartëmonedha – njëra prej 5 € dhe tjetra prej 20 €, të cilat dyshohet se janë para të përfituara nga shitja e drogës.      

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit në Prizren, janë intervistuar E.B. dhe B.S. në cilësinë e dëshmitarëve, në prani të avokatëve mbrojtës.

Ndërkohë, E.G. është shpallur në kërkim, dhe DHTN – Njësia në Prizren po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit./Gazeta Sinjali/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here