“DokuFesti” mat pulsin e mbijetesës në kohë të turbullta

0
455

Me pyetjen e fuqishme “How to survive?”, të premten mbrëma “DokuFesti” i ka ndezur projektorët. Festivali e mat pulsin e mbijetesës në kohë të turbullta, por po këtë pyetje ia shtron edhe vetvetes dhe ka një arsye për këtë. “Fire of love” ka qenë njëri prej filmave të parë në maratonën tetëditore filmike. Tema e filmit vjen si paralajmërim, e vetë ky film, por edhe mbi 250 të tjerë në program, dëshmojnë fuqinë e artit kinematografik në betejën për mbijetesë

“DokuFest” është hapur me thirrjen për vetëdijesimin për mbrojtjen e natyrës. “How to survive?” nuk ka qenë vetëm pyetje-temë për mbijetesën ndaj kushteve klimatike, luftës dhunës, fashizmit e për ekzistencë. Ka qenë edhe pyetje për mbijetesën e Festivalit përballë përkrahjes nga institucionet.

Gjallëria e para një viti u është kthyer rrugicave të Prizrenit, aty ku nikoqire janë shfaqjet e filmave të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër. Jashtë ambienteve të “Doku Kino” e “Lumbardhi Bahçe” janë mbledhur numër i madh i njerëzve nga turmat.

Dyert e kinemasë “Lumbardhi” janë hapur rreth njëzet minuta pas kohës së paraparë. Publiku ka zënë vend derisa gjithandej janë shfaqur pamjet prapa të cilave fshihet tema e edicionit të 21-të të festivalit – “How to survive?” (Si të mbijetojmë?) “Fire of Love” ka qenë vetëm një nga filmat që janë shfaqur në të njëjtën kohë, si hap paraprijës drejt laramanisë së filmave që e ndezin projektorin e Festivalit.

Image
“Fire of love” i regjisores amerikane Sare Dose, në “Lumbardh” ka ardhur si paralajmërim se “është esenciale t’i shihni këto pamje”. E aty zbërthehet fuqia e natyrës dhe dashuria ndaj zjarreve

Filmi “Atlantide” i regjisorit italian, Yuri Ancarani, është shfaqur në “DokuKino”, “Love, Deutschmarks and Death” i regjisorit turk Cem Kaya në “Doku Lumi”. Maratona filmike vjen që në ditën e parë të Festivalit. Në platonë e “DokuKino” është shfaqur filmi “Kash kash – without feathers we can’t live” e regjisores libaneze Lea Najjar, në “Solar Cinema” filmi “How to save a dead friend” i regjisores ruse Marusya Syroechkyvskaya, ndërsa në “Lunar Cinema” janë shfaqur gjashtë filma të metrazhit të shkurtër: “The news”, “Memories”, “Fall of the Ibis King”, “Easter Eggs”, “Armadila” dhe “Maalbeek” kanë qenë gjithë filmat e shfaqur aty.

Era e lehtë ka valëvitur degët e pemëve, gjethet e të cilave sikur kanë krijuar tingujt e natyrës. Shpejt ajo është ndërprerë sa për t’i dhënë hapësirë filmit që përçon mesazhin e vetëdijesimit ndaj saj.

Në skenë është ngjitur artisti Redon Kika. Ka sjellë performancën e përgatitur bashkërisht me organizatorët e Festivalit. Ajo vjen si rebelim ndaj gjithë dëmeve që vijnë nga dora e njeriut, si për mbijetesën ndaj luftës, kushteve klimatike e faktorë të tjerë të shkaktuara prej njeriut. Krejt në fund është parashtruar pyetja se si të mbijetojë vetë Festivali me përkrahjen minimale nga institucionet në vend.

Filmit “Fire of Love” në “Lumbardhi Bahçe” i ka paraprirë introja e gjatë e “DokuFestit”. Nis me pulsin që sa vjen e shpeshtohet e bëhet më i çrregullt kur shoqërohet me pamjet e qyteteve të shkatërruara nga lufta, varret, bombardimet, vuajtjet, djegiet e pyjeve, zhvillimin e makinerisë e të fabrikave.

Zjarri i dashurisë si paralajmërim

Ndotje, shkatërrim, ironi shfaqet që në fillim të serisë të gjatë të filmave që do të shfaqen. “Fire of Love” i regjisores amerikane Sara Dose, publikun e paralajmëron se “është esenciale t’i shihni këto pamje”. Ai hapet edhe me shpjegimin për vullkanet e vullkanologët. Si të fundit, janë personazhet në film, Katia dhe Mauricie. Pamjet e shpërthimit të vullkaneve jepen nga shkapërderdhja e gurëve të flaktë poshtë kodrave e deri te rrjedha e lumenjve prej llave. Dëshira për të përjetuar aventurat e adrenalinën e të parit nga afër shfaqjen spektakolare mundin frikën atyre që e bëjnë këtë. Ata janë të vetëdijshëm se gabimi minimal mund të jetë fatal. Shumë pranë zonave të shpërthimit vendoset për të qëndruar aty me javë.

Në film jepen edhe sekuenca qesharake që sikur e largojnë publikun nga pamjet e ashpra sesi shkatërrohet natyra. Me të dhëna shkencore zbulohet se në disa zona shpërthimet kanë qenë aq të mëdha, sa njerëzit e kafshët kanë mbetur të ngujuar nën flakët vullkanit. Katia dhe Mauricie janë adhurues të vrojtimit të vullkaneve, ashtu siç më së miri flet titulli – “Fire of Love”. Janë burrë e grua dhe dashuria e tyre vjen edhe në formën e dashurisë për zjarrin. Ngritin tenda dhe qëndrojnë aty me javë, ndërsa ushqimin e gatuajnë në gurët e zjarrtë të krijuar prej llavës së vullkanit. Ndërkohë shpjegime jepen edhe për gejzerët si shpërthime vullkanike prej uji.

Programuesi i filmave të shkurtër në “DokuFest”, Samir Karahoda, ka thënë se është filmi më i përshtatshëm në trajtimin e temës “How to survive?”

“Filmi tregon aventurën e çiftit dhe romancën e tyre ndaj vullkaneve për të bërë gjithçka që efektet e vullkaneve të mos ndikojnë te njerëzit. Filmi vjen si dëshmi se sa të mëdha janë efekti dhe fuqia e filmit”, ka thënë ai.

Image
Janë mbi 250 filma në programin e sivjetmë të “DokuFestit”

Festivali i diplomacisë kulturore

Ajo çfarë ka shtyrë në përzgjedhjen e filmave dhe të temës kanë qenë momentet kritike në të cilat gjendet bota. Drejtori artistik i Festivalit, Veton Nurkollari, ka thënë se pyetja e temës është e lidhur me mbijetesën jo vetëm në kohë lufte, por edhe ndaj fenomeneve të tjera. Është shprehur i lumtur me realizimin e edicionit të 21-të të “DokuFestit”.

“Në fillim nuk kam menduar se do të bëjmë njëzetenjë edicione. Prandaj ndihem dyfish i kënaqur pasi festivali ka mbijetuar dhe ka vazhduar në dekadën e tretë”, ka thënë Nurkollari për festivalin i cili kaherë është dëshmuar në diplomaci kulturore.

Producentja e “DokuFestit”, Alba Çakalli, kur është pyetur për gatishmërinë e të rinjve në vullnetarizëm, është shprehur se vetë Festivali ka qenë nisje vullnetare.

“Për 21 vjet e pasqyron vullnetarizmin dhe na mëson të përcjellim vullnetarizëm në gjeneratat e reja”, ka thënë ajo. Me theks të veçantë, ajo është producente e “DokuNights” të cilin program mezi e ka pritur të kthehet në versionin e plotë fizik. Dy vjet më parë ishte mbajtur në formë virtuale, ndërsa në edicionin e kaluar me audiencë të kufizuar. Këtë vit, në Festival janë angazhuar plot 150 vullnetarë.

Veçanti e Festivalit është se këtë edicion i jepet e drejta për ta nominuar një film për “European Film Academy” në kategorinë garuese për filmin më të mirë të shkurtër.

Programuesi i filmave të metrazhit të shkurtër në “DokuFest”, Samir Karahoda, ka vlerësuar si lajm të mirë për Festivalin dhe gjithë vendin që “DokuFesti” propozon për nominim për atë që njihet si “Oscar” i Evropës. Në kuadër të Festivalit do të zhvillohen biseda e diskutime nëpërmjet “DokuTalks” dhe “DokuStories” si dhe synohet argëtim pa fund me “DokuNights”.

Programi i muzikës është kuruar nga regjisori Leart Rama, ndërsa performuesit vijnë nga skena e muzikës së Londrës, Berlinit dhe Amerikës. Ndër ta janë “Sega Bodega”, “Phase Fatal”, “Detroit in Effect”, Bendi “Hercules and Love Affair”, bendi i artistes Edona Vatoci.

Filmat garues do t’i vlerësojë juria e veçantë në secilën kategori. Ata janë kritikë filmi, filmbërës, kinematografë, producentë e profesorë të fushës nga Suedia, Turqia, Italia, Sllovenia, Danimarka, Zvicra, Irani, Belgjika, rajoni e vendi.

Filmat janë ndarë në programe, si në atë të njohurin “View from the world”, pastaj veçanti e këtij edicioni janë: “Football Shorts”, “Sonic transmissions: Music on film”, “Double burdens: Exposures & Expressions”, “Surviving you, alëays: The ëorks of Maryam Tafakory & Morgan Quaintance”, “The European Film Academy’s Short Film Tour”, “Future is here” e programe të tjera të kuruara posaçërisht për këtë edicion.

Janë 109 filma në tetë kategori garuese, e krejt programi sjell mbi 250 filma.

Për të nëntën herë, në kuadër të festivalit vjen pas dy vjetëve, në formë fizike, programi “DokuTech”, në të cilin përfshihen seminare e diskutime me profesionistë të teknologjisë. Si edicionet e kaluara rëndësi u kushtohet fëmijëve përmes programit “DokuKids”, ndërsa me program të veçantë bëhet pjesë edhe bienalja “Manifesta 14”, ku do të shfaqen tre filma dhe një diskutim mbi temën e peizazhit, në ndërthurje me tregimet historike dhe bashkëkohore të rezistencës.

Pjesëmarrja e filmave dokumentarë nga shtetet e Evropës e atyre të rajonit është e gjatë, ndërkohë që harta zgjerohet edhe në Afrikë e Amerikë Latine. Një film për Mariupolin e Ukrainës është dokumentim për luftën atje. Ndërkohë, për herë të parë në konkurrencë për filmin e shkurtër janë dy filma nga Singapori. Nga ky shtet, për herë të parë do të mirëpriten edhe vizitorët në audiencën shumëkombëshe të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”. Edicioni i 21-të, sapo ka nisur. “How to survive?” është pyetja por që në natën e parë, “DokuFesti” e ka dëshmuar se nuk e ka ndërmend të ndalet në maratonë filmash dhe edicionesh./Koha.net

Leave a Reply