“DokuFesti” ka kohë që është adresë ndërkombëtare sa u përket festivaleve të filmave dokumentarë dhe atyre të shkurtër. Por së fundmi, stafi i Festivalit që sivjet do ta ketë edicionin e 21-të në Prizren, ka shtuar në listën e kontakteve dhe atë të mysafirëve që do t’i presin prej 5 deri më 13 gusht në Prizren.
Kjo falë pranisë së përfaqësuesve të “DokuFestit” në një prej tregjeve më të mëdha në botë sa i përket filmit. Kur janë bërë pesë ditë pasi ngjarja e madhe mbylli kapitullin e një edicioni që e riktheu shkëlqimin për të cilin shquhet, prania e “DokuFestit” atje hap kapituj të rinj për edicionin në ardhje të më të madhit festival në Kosovë dhe jo vetëm.
Dyshja Eroll Bilibani dhe Samir Karahoda numërojnë disa “pasoja” të pranisë së tyre në Cannes. Kanë qëndruar atje si partnerë të atij që njihet si festivali i festivaleve. Kanë zhvilluar takime e kanë qenë pjesë e diskutimeve me regjisorë e producentë të botës së filmit dokumentar.
Të pranishmëve ua kanë dhënë një pasqyrë të “DokuFestit” e po ashtu edhe të potencialit të Kosovës në fushën e kinematografisë, sidomos sa i përket filmit dokumentar.