Manchester United pësoi një humbje turpëruese në transfertë ndaj Crytal Palace me “Djajtë e Kuq” që u mposhtën me rezultatin e thellë, 4-0. Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri Erik ten Hag theksoi se skuadra nuk zbatoi planin e përgatitur prandaj edhe pësoi disfatën e rëndë ndërsa shtoi se ai do të vazhdoj luftën për të rikthyer United në nivelin e duhur.
“Ishte një ndeshje në të cilën nuk ishim në nivelin e duhur. U bënë gabime të mëdha, lojtarët nuk zbatuan planin dhe rregullat që ne kemi si skuadër. Kishte edhe gabime individuale, por ne duhej të mbulonim njëri-tjetrin në fushë dhe nuk e pashë këtë. Zhgënjyem njëri-tjetrin dhe morëm humbjen më të rëndë.
Unë do të vazhdoj të luftoj. E përgatita skuadrën në mënyrën më të mirë të mundshme, në fund të ditës më duhet të punoj me organikën që kam në dispozicion. Pësuam gola të lehtë dhe kjo nuk duhet të ndodhë. Kisha dhënë instruksione të sakta se si duhej të mbronim, nuk i pashë të zbatoheshim në fushë dhe përfunduam me një humbje turpëruese”, u shpreh Ten Hag./SS