Abuzimi me alkool e substanca narkotike janë ndër shkaqet kryesore të veprimeve të dhunshme të të rinjve karshi familjarëve të tyre e pjesëtarëve tjerë të shoqërisë. Ata madje në shumë raste nuk kursejnë as prindërit e tyre, duke u dashur kështu intervenimi i Policisë për t’i zgjidhur telashet, raporton Gazeta Sinjali.
Policia së fundi ka intervenuar në një familje në fshatin Korishë të Prizrenit, ku një person dyshohet se ka shkaktuar probleme.
Sinjali mëson se 24-vjeçari gjatë ditës së djeshme ka lyer me benzinë veturën e babait të tij dhe drutë që ndodhen në oborrin e shtëpisë dhe ka tentuar që t’ua vë flakën, mirëpo është ndalur nga babai.
Ky i fundit ka denoncuar rastin në Polici, ku ka bërë me dije se i biri është përdorues i lëndëve narkotike dhe menjëherë pas kryerjes së veprës është larguar nga shtëpia.
I riu është gjetur mbrëmë vonë nga babai dhe më pas në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Policia të cilët kanë arrestuar të dyshuarin i cili ishte agresiv me babain e tij.
Të dyshuarin dhe e kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku është përballur me denoncimin kundër tij.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i riu është dërguar në mbajtje për 48 orë për veprën penale “Dhunë në familje”.