Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një ngjarje e tillë ka ndodhur së fundi në një familje në rrugën ‘Brigada 123’ në Suharekë, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht nënën e tij.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë me dije se viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka njoftuar se i biri pas një konflikti verbal ka ushtruar dhunë ndaj saj.
Si pasojë e sulmit, gruaja ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
Ndërkohë 40-vjeçari është shoqëruar në stacion policor dhe i është nënshtruar testit të alkoolit, ku ka rezultuar në gjendje të dehur.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet për veprat penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Dhunë në familje’.