Të ka ndodhur që fëmija yt vjedh ose nuk tregohet i sinqertë?
Mungesa e sinqeritetit mund të jetë një sjellje shumë e acaruese për shumë prindër. Është e rëndësishme që të kuptohet se sjelljet që mësohen mund edhe të çmësohen (ndryshohen).
Shpesh ndodh që problemi kryesor është me prindërit, të cilët e kanë shumë të vështirë që të vetëpërmbahen. Si të përballesh me mendimin gërryes se kjo krijesë e brishtë dhe e pafajshme mund të vjedhë, gënjejë ose të shpifë?
Para se të fillosh të nxehesh, përpiqu ta shikosh mungesën e sinqeritetit tek fëmija si një rast i mirë për t’i mësuar atij/asaj që të bëjë dallimin mes të keqes dhe të mirës. Mos jep leksione, mos bërtit, mos e bëj që të ndihet në faj, mos e fyej fëmijën tënd. Është thjeshtë humbje kohe. Shpenzo më shumë kohë duke u përpjekur që t’i mësosh fëmijës tënd atë që mendon se është e drejtë në mënyrë që ai të tregohet më i sinqertë. Për disa prindër kjo është gjëja më e vështirë në botë. Nevojitet shumë durim dhe praktikë.
Ndonjëherë ne harrojmë se fëmijët nuk e mësojnë nga qielli se çfarë është sinqeriteti. Kjo sjellje, ashtu si edhe sjelljet e tjera, mësohet. Le të fillojmë me disa pyetje për të përcaktuar nëse ajo çka ti pret nga fëmija yt është e arsyeshme për aftësitë e tij. Këto janë pyetjet që duhet t’i bësh vetes:
- A jam përpjekur unë që më përpara t’i mësoj fëmijës tim se çfarë pres prej tij?
- A jam treguar një model mirë?
- A është fëmija im i aftë që t’i bëjë ato gjëra që unë ia kërkoj?
- A është treguar i sinqertë në shkuarën fëmija im?
Këto katër pyetje do t’i analizojmë nën këndvështrimin e sinqeritetit.
A jam përpjekur unë që më përpara t’i mësoj fëmijës tim se çfarë pres prej tij?
Mos harro se të mësosh një fëmijë nuk do të thotë vetëm t’ia thuash por edhe t’ia tregosh me vepra.
Vër në përdorim “pasoja”, të cilat janë kuptimplotë për fëmijën në mënyrë që ai të mësojë se sjellja e tij nxjerr rezultate si pozitive ashtu edhe negative.
A jam treguar një model mirë?
A i vë ti në jetë këshillat që jep, apo përdor stilin e vjetër “bëj si them unë por jo si bëj unë”? Fjala më e rëndësishme për një prind të suksesshëm është: model, model, model!
A është fëmija im i aftë që t’i bëjë ato gjëra që unë ia kërkoj?
Disa fëmijë të vegjël janë imitues të shkëlqyer. Ata shpesh përsërisin sjellje ose fjalë që i dëgjonë shpesh pa qenë plotësisht të vetëdijshëm për kuptimin e tyre. Është detyra jote që të mbash nën mbikqyrje ose të ndryshosh ambjentin me të cilin fëmija yt bie në kontakt.
Nga ana tjetër, duke qenë se fëmija rritet e zhvillohet duke u përballur me aspektin amocional e shoqëror të ambjentit ku jeton, disa periudha të caktuara moshore mund të nxjerrin në pah një sjellje jo shumë të sinqertë. Fëmijët kanë nevojë për trajnim në për këto aspekte të jetës në mënyrë që të rriten.
A është treguar i sinqertë në shkuarën fëmija im?
Një mënyrë e mirë për të dalluar dobësitë dhe pikat e forta të fëmijës tënd në lidhje me sinqeritetin është duke e praktikuar atë. Praktika duhet të jetë e shkrutër, e përqendruar tek ajo sjellje që po përpiqesh t’i mësosh dhe e lidhur me një shtysë (motivuese), e cila do ta inkurajojë fëmijën të praktikojë.
Për shembull, nëse fëmija yt vjen e të kërkon leje për diçka që e motivon atë, para se t’i japësh leje, shfrytëzoje këtë moment për t’ parktikuar. Thuaji se e vlerëson faktin që ai po merr leje me këto fjalë “Hmmm, faleminderit që po më pyet mua më përpara. Para se unë të të kthej përgjigje, mos harro që ne duhet të tregojmë gjithmonë të vërtetën”. Pastaj bëji nja dy tre pyetje, përgjigjet e të cilave ti i di. Bëji të qartë që ty të duhen faktet. “Bora, çfarë ngjyre ka bluza jote? Sa vjeç je? Ku fle ti?” Nëse fëmija yt thotë ë vërtetën, atëherë lëvdoje dhe ktheji përgjigje.
Zëvendësimi i një sjelljeje me një sjellje tjetër është gjithashtu një mënyrë e mirë për t’i ushqyer fëmijës ndjesinë e ndershmërisë. Për shembull, mund të ndodhë që djali yt i vogël ka maninë që të fusë duart në gjërat e të tjerëve për shkak të emocionit që shkakton ky veprim ose si një mënyrë për të tërhequr vëmendjen. Zëvendësoje këtë sjellje me një sjellje tjetër më të përshtatshme. Gjatë ditës, në periudha të ndryshme, mund të fshehësh objekte të ndryshme nëpër shtëpi që pastaj t’i gjejë fëmija. Udhëzoje që të gjejë vetëm ato objekte që ke përcaktuar ti dhe pasi t’i ketë gjetur, t’i vendosë ato në vendi e duhur. Shpërbleje këtë veprim të ndershëm nëpërmjet vëmendjes tënde ose me një “dhuratë të vockël”. Më shumë kohë me ty dhe emocioni aktivitetit mund të jenë shtysa e nevojshme për të qenë më i sinqertë.