Dialogu Kosovë-Serbi, mediat e huaja: Dritarja e mundësisë për marrëveshje po mbyllet shpejt

0
199

Pak ditë pas takimit të nivelit të lartë mes Kurtit e Vuçiqit në Bruksel, mediat në Gjermani e Austri kanë komentuar dështimin e arritjes së rezultateve nga ky takim.

Raportimet e  “Bild” dhe “Standard” ndryshojnë, por  të dy mediumet bien dakord për një gjë: koha për të arritur një marrëveshje po mbaron.

“Kosova po bllokon planin e BE-së – a ekziston rreziku i një vale të re dhune në Ballkan?” Me këtë titull  është publikuar artikulli për zhvillimet e javës së kaluar në Bruksel nga gazeta gjermane Bild.

“Përpjekjet e BE-së për të qetësuar tensionet mes vendeve të Ballkanit, Serbisë dhe Kosovës, kanë dështuar sërish”, shkruan Bild, duke thënë se “pas bllokadës së Kurtit, ka pasur një qortim të qartë nga Brukseli me qëllim Prishtinën” dhe se “BE-ja akuzon Kosovën për pengim të rrugës drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.”

Artikulli citon gjithashtu fjalët e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së,  Josep Borell të enjten e kaluar pas takimit: “Nuk ishte e mundur të kapërcehen dallimet”.

“Procesi duket se është në bllokadë”

Ndërkaq, Gazeta austriake Standard publikoi një tekst të gjerë në të cilin vlerësohet se “vetë fakti që Vuçiq dhe Kurti u takuan të enjten e kaluar pas përshkallëzimit të konfliktit në fillim të verës ishte një lloj suksesi”.

Megjithatë, “diplomatët tani pranojnë se plani i zbatimit (i Marrëveshjes së Ohrit) është dashur të jetë bërë në fillim, sepse tani edhe Qeveria e Serbisë edhe ajo e Kosovës mund të fajësojnë vazhdimisht njëra-tjetrën për moszbatimin e marrëveshjes dhe kështu mund ta ndërpresin atë plotësisht. Kjo është pikërisht ajo që po ndodh tani.

“Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit tha pas takimit të fundit se ‘koha po mbaron’. “Amerikanët padyshim që nuk duan më të shikojnë evropianët të dështojnë për të arritur diçka në këtë proces”, shkruan gazeta e Vjenës.

“Duket se procesi është në qorrsokak”, vlerëson “Standard” dhe në të njëjtën kohë raporton se “BE-ja ka muaj që debaton nëse do të zëvendësojë diplomatin Lajçak, pasi nuk ka pasur progres në dialog nën udhëheqjen e tij viteve të fundit”.

“Diplomatët e BE-së duken nervozë, sepse nuk ka suksese për të treguar dhe plani franko-gjerman nuk po funksionon qartë. Në të njëjtën kohë, fuqitë perëndimore kanë një interes të madh që ta lidhin Serbinë me BE-në, sepse kanë frikë se qeveria serbe  mund të afrohet edhe më shumë me Rusinë. Shumë kosovarë, ndërkohë, akuzojnë Perëndimin se po ushtron “presion të njëanshëm” ndaj Kosovës për t’i dhënë prioritet themelimit të Asociacionit. Ata besojnë se ndërmjetësit nuk janë neutralë dhe disa i shohin si një palë që ka interesat e veta”, shkruan gazeta “Standard”.

Kujtojmë se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk u pajtuan javën e kaluar rreth hapave për zbatimin e marrëveshjes ndërsa zyrtarët evropianë thanë se ishte kryeministri Kurti ai që nuk e pranoi një propozim për “përmbushje të njëkohshme” të detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Ohrit.

Kryeministri Kurti fajësoi të hënën të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi Miroslav Lajçak për dështimin e bisedimeve duke e akuzuar atë për njëanshmëri e qëndrime kundër Prishtinës.

Nga BE-ja nuk kishte ndonjë reagim rreth akuzave të Kurtit, por në anën tjetër Departamenti Amerikan i Shtetit vlerësoi të hënën ato që i quajti përpjekje të palodhura të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak në bisedimet Kosovë-Serbi.

“Ne (SHBA) mbetemi të angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falenderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak”, u tha në përgjigjen e DASH për Zërin e Amerikës. /Reporteri.net

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here