Der Leyen: Propozimi franko-gjerman është në tavolinë bashkë me udhërrëfyesin, presim konstruktivitet nga Kurti dhe Vuçiq

0
194

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen të premten është pritur në takim nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden me të cilin kanë biseduar për shumë çështje, pa e harruar edhe procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Der Leyen pas takimit që ka pasur me Joe Biden ka theksuar se si Brukseli edhe Washingtoni e përkrahin plotësisht procesin e negociatave.

E pyetur për propozimin franko-gjerman, politikania gjermane ka thënë se tashmë palët e kanë atë propozim në tavolinë bashkë me udhërrëfyesin e si duhet të implementohet dhe se presin që Kosova dhe Serbia të tregohen konstruktive në këtë proces.

“Propozimi është tashmë në tryezë dhe ka një udhërrëfyes se si të arrijmë atje. Ne presim që të dyja palët të angazhohen në mënyrë konstruktive,” ka thënë von Der Leyen para gazetarëve.

Shefja e Komisionit Evropian ka thënë se është shumë e rëndësishme që dialogu po vazhdon dhe se sigurisht që nuk është një proces i lehtë dhe por se ka shumë çështje për t’u zgjidhur.

Politikania gjermane ka potencuar se procesi po lëviz në drejtimin e duhur dhe ka përkrahjen e plotë edhe të SHBA-së edhe të Bashkimit Evropian.

“E kemi prekur këtë temë shkurtimisht. Është shumë e rëndësishme që dialogu Kosovë-Serbi vazhdon. Nuk është e lehtë. Ka shumë çështje për t’u zgjidhur, por po lëviz në drejtimin e duhur dhe ka mbështetje të plotë nga të dy palët për këtë dialog”, ka thënë Von Der Leyen.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor qëndroi për dy ditë në Kosovë një javë para takimit në Ohër ku pritshmëritë janë që të dakordohet mbi udhërrëfyesin e zbatimit të planit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Ndryshe, më 18 mars 2023, Vuçiqi dhe Kurti do të takohen sërish nën ndërmjetësimin e BE-së, këtë herë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here