E ardhmja e Frenkie De Jong është shndërruar në një temë të “nxehtë” të merkatos duke qenë se mesfushori kërkohet me ngulm nga trajneri Erik ten Hag te Manchester United. Barcelona dhe “Djajtë e Kuq” kanë gjetur akordin ekonomik mirëpo holandezi ngurron dhe refuzon të transferohet në Old Trafford, edhe pse më parë ka punuar dhe ka shkëlqyer nën urdhrat e ten Hag te Ajax.
Gjithsesi, me katalanasit që kanë nevojë edhe të arkëtojnë në këtë merkato përveç shpenzimeve, 25-vjeçari duket i destinuar për t’u larguar ndërsa së fundmi është gati të pranojë të veshë fanellën e Chelseat. Duket se De Jong e vlerëson projektin e pronarit të ri të “Bluve të Londrës”, Todd Boehly, por problemi qëndron se njëshi i londinezëve nuk është i gatshëm të ofrojë një ofertë ekonomike të lartë si ajo e Manchester United.
Sakaq, Chelsea dhe Barcelona janë përplasur shpeshherë në këtë merkato me katalanasit që transferuan Christensen nga anglezët ndërsa kërkojnë edhe shërbimet e Azpilicuetas, pa harruar edhe ndërhyrjet e Barçës në tratativën e “Bluve të Londrës” me Jules Kounde.
Ndaj, acarimi mes palëve, bën që spanjollët të mos hapin rrugë për De Jong nëse nuk marrin ofertën e duhur nga pala angleze, me mesfushorin që rrezikon të “hedhë në erë” planet e merkatos së blaugranave me tekat rreth së ardhmes./SS