Çitaku: PDK do të inicojë mocion për shkarkimin e Bordit të RTK-së

0
80

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka njoftuar të shtunën në një konferencë për media, se Grupi Parlamentar i PDK-së javën e ardhshme do ta dorëzojë mocionin për shkarkimin e Bordit të RTK-së. Ky inicim do të vije, siç ka thënë Çitaku, pas publikimit të lajmit të paverifikuar nga ana e transmetuesit publik ku etiketohen disa media në Kosovë.

“Kjo nismë është e pandalshme, emergjente dhe në funksion të mbrojtjes së fjalës së lirë dhe lirisë së medieve. RTK është e publikut dhe nuk duhet të shndërrohet në instrument të pushtetit për të projektuar, organizuar dhe transmetuar shpifje dhe të pavërteta kundër medieve dhe kolegëve të tyre gazetarë me qëllim që ti shërbejë partisë në pushtet në betejën e saj të dëshpëruar për të luftuar fjalën e lirë dhe të vërtetën që publiku duhet ta dijë”, tha ajo.

Çitaku tha se RTK dështoi t’u qëndrojë besnik parimeve themelore të gazetarisë, “sepse nuk iu rezistoi dot presioneve politike të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila RTK-në e ka shndërruar në media partiake”.

“Lajmet e rreme të RTK-së të cilat citonin po ashtu një medium boshnjak artikulli i të cilit mund të jetë shkruar në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, përbëjnë cenim direkt të sigurisë dhe jetës së gazetarëve të këtyre mediumeve nga njëra anë, por edhe shpërfaqin, nga ana tjetër, fushatën qeveritare kundër mediave dhe fjalës së lirë, si një vlerë kushtetuese dhe demokratike e shtetit dhe shoqërisë tonë”, ka thënë Çitaku.

Prandaj, pas gjithë kësaj situate, RTK nuk e ka kredibilitetin e transmetuesit publik nëse nuk merren masa ndaj drejtuesve të tij, ka thënë Çitaku, thuhet në njoftimin e lëshuar nga kjo parti.

“Aq më tepër që nga dita në ditë, u ndriçuan shumë rrethana edhe nga disa gazetarë të këtij mediumi e të cilët dëshmuan integritet profesional duke u distancuar nga lajme të tilla shpifëse. Ky lajm shpifës që trazoi themelet e fjalës së lirë në Kosovë dhe zgjoi edhe reagime të panumërta nga organizata vendore e ndërkombëtare, e ka një adresë të saktë, Bordin e RTK-së dhe drejtorin e Televizionit”, deklaroi Çitaku.

Kjo parti opozitare përmendi edhe përfshirjen e zyrtarëve të AKI-së, për të cilët tha se duhet hetim nga Prokurorisë Speciale.

“Në këto 4 vite, nuk ju mjaftuan kërcënimet, fyerjet dhe shpifjet ndaj gazetarëve, vendimet për mbylljen e mediumeve apo edhe kapja dhe kontrolli i Komisionit të Pavarur të Mediave. Por betejat e tyre për shtypjen e zërave të informimit të të vërtetës te publiku e morën një trajtë tejet shqetësuese, të rrezikshme dhe të pashembullt, duke e përdorur RTK-në si transmetuesin publik, për të thurur trillime, shpifje dhe të pavërteta ndaj disa prej mediave të respektueshme në Kosovë, vetëm me qëllimin që të dezinformojnë publikun, të cenojnë besueshmërinë e publikut ndaj këtyre mediave duke i paraqitur pa asnjë bazë – si instrumente që financohen nga Serbia dhe Rusia”, tha sekretarja e PDK-së.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here