Çfarë duhet ditur për Këshillin e Evropës?

0
810

Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër politike në Evropë. E themeluar më 5 maj të vitit 1949, Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit, me seli në Strasburg të Francës.

Qëllimi i themelimit të kësaj organizate ishte dhënia fund e armiqësive në mes të shteteve të Evropës, pas dy luftërave të tmerrshme botërore në shekullin XX.

Deri më tani KE-ja përfshin 46 shtete anëtare, 28 prej të cilave janë anëtare të Bashkimit Evropian. Organizata mbron lirinë e shprehjes dhe të medias, lirinë e organizimit, barazinë dhe mbrojtjen e pakicave. Ka ndërmarrë fushata për çështje të tilla si për mbrojtjen e fëmijëve, gjuhën e urrejtjes online dhe të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë pakicën më të madhe në Evropë. Këshilli i ndihmon shtetet anëtare të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin, dhe të ndërmarrin reformat e nevojshme në fushën e rendit dhe ligjit. Nën ombrellën e saj qëndron Komisioni i Venecias, një grup i ekspertëve kushtetues që ofron këshilla rreth kësaj fushe për shtetet e gjithë botës.

Këshilli i Evropës promovon të drejtat e njeriut nëpërmjet konventave ndërkombëtare, të tilla si Konventa për Parandalimin dhe Luftën kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje dhe Konventa për Krimin Kibernetik. Ai monitoron progresin e shteteve anëtare në këto fusha dhe bën rekomandime nëpërmjet organeve të pavarura të ekspertëve për monitorimin.

Dy institucionet kryesore të KiE, janë Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare. Institucion tjetër krucial është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata është organ gjyqësor i përhershëm që u garanton të gjithë evropianëve të drejtat e parashikuara në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut!

Fare në fund, duhet t’a kemi të qartë që KiE është organizatë e pavarur evropiane dhe jo institucion i Bashkimit Evropian!

Shkruan: Leotrim GËRMIZAJ

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here