Brezi aktual i prindërve dhe edukatorëve po i çon fëmijët në rrugë të gabuar, këto janë 3 gjërat që s’duhet t’ua thonë më

0
214

Sipas psikologut të shquar social Jonathan Haidt, aktualisht janë tre të pavërteta të mëdha që ne u mësojmë fëmijëve tanë: (1) “Ajo që nuk të vret të bën më të dobët”;  (2) “Gjithmonë besoju ndjenjave të tua”;  dhe (3) “Jeta është një betejë midis njerëzve të mirë dhe njerëzve të këqij.

Përforcimi i këtyre dogmave përmes prindërimit dhe edukimit i lë brezat e ardhshëm të papërgatitur për të lulëzuar në një botë komplekse dhe të ndërlidhur. Sipas Haidt, realiteti është më shumëngjyrësh. Në vitin 2018, psikologu social i famshëm, Jonathan Haidt, profesori Thomas Cooley i Udhëheqjes Etike në Shkollën e Biznesit Stern të Universitetit të Nju Jorkut dhe gazetari Greg Lukianoff, presidenti i Fondacionit për të Drejtat Individuale dhe Shprehjen, publikuan librin e tyre “The Coddling of the american mind”.

Në të, ata argumentojnë bindshëm se brezi aktual i prindërve dhe edukatorëve po i çon fëmijët në rrugë të gabuar. Duke përjetësuar tre të pavërteta të mëdha – (1) “Ajo që nuk të vret të bën më të dobët”;  (2) “Gjithmonë besoju ndjenjave të tua”; dhe (3) “Jeta është një betejë midis njerëzve të mirë dhe njerëzve të këqij” – të rriturit po i zhgënjejnë të rinjtë, duke i lënë fëmijët të papërgatitur për t’u përballur me një botë komplekse.

E pavërteta Nr. 1: Ajo që nuk të vret të bën më të dobët

E pavërteta e parë, “Ajo që nuk të vret të bën më të dobët”, duket se është një përmbysje e plotë e një fjale të urtë më fuqizuese: “Ajo që nuk të vret të bën më të fortë”. Prindërit dhe edukatorët sot po shqetësohen gjithnjë e më shumë se mos shkaktojnë çfarëdolloj “traume” te fëmijët, të merakosur se kjo mund të lërë plagë mendore jetëgjata. Parandalimi dhe prindërimi tejet protektiv janë nënprodukte të kësaj dëshire për të mbrojtur fëmijët nga çdo burim i mundshëm dëmtimi, qoftë fizik apo emocional.

Por kjo tendencë në rritje shkon kundër dekadave kërkime që tregojnë se të rinjtë priren të jenë jashtëzakonisht elastikë ndaj përvojave negative. Në vend që të jenë të brishtë, ato janë “anti-të brishtë”, thotë Haidt. Ashtu si kockat dhe muskujt duhet të përdoren dhe të tendosen për të qëndruar të forta, dhe sistemi imunitar duhet të ekspozohet ndaj patogjenëve për të qëndruar në formë të mirë, psikika e fëmijëve duhet të sfidohet për t’i mbajtur ata të ekuilibruar dhe të shëndetshëm.

“Duke i mbrojtur me tepri fëmijët tanë, ne po i vendosim ata në pozicion të dobët, që të dëmtohen më kollaj, të dekurajohen më lehtë”, thotë Haidt për Big Think. “Kur i mbrojmë fëmijët nga pakënaqësia, nga konfliktet, nga fyerjet, nga ngacmimet, nga përjashtimi, ne jemi duke parandaluar psikologjinë e tyre sociale, jemi duke parandaluar aftësitë e tyre sociale, jemi duke penguar zhvillimin e forcës së tyre.”

E pavërteta Nr. 2: Gjithmonë besoju ndjenjave të tua

Një e pavërtetë e dytë që Haidt dhe Lukianoff e shpjeguan është “beso gjithmonë ndjenjat e tua”.

“Ajo që kemi filluar të shohim në kampus është se studentët inkurajohen të ndjekin ndjenjat e tyre; nëse ndihen të ofenduar nga diçka atëherë ata ndihen të sulmuar. Ata nuk duhet t’i vënë në dyshim ato ndjenja, “tha Haidt.

Frazat fantastike si “e vërteta personale” dhe “përvoja e jetuar” tani përdoren shumë shpesh për të vendosur ndjenjat në të njëjtin skalion si faktet. Por ato nuk janë aspak në të njëjtin nivel. Ndjenjat janë subjekt i qindra paragjykimeve njohëse që lodhin të menduarit e njerëzve. Faktet, nga ana tjetër, janë fakte.

“Ne duhet t’i mësojmë të rinjtë në të gjitha fazat që të vënë në dyshim interpretimet e tyre të menjëhershme, të kërkojnë prova dhe të përmirësojnë mënyrën se si e interpretojnë botën,” tha Haidt.

E pavërteta Nr. 3: Jeta është një betejë midis njerëzve të mirë dhe njerëzve të këqij

E pavërteta e fundit e madhe, “më e keqja, më e rrezikshmja dhe më e errëta nga të gjitha”, sipas Haidt, është se jeta është një betejë midis njerëzve të mirë dhe njerëzve të këqij. Kjo e pavërtetë ushqehet me ndjeshmërinë e rrënjosur të njerëzimit ndaj tribalizmit.

“Ne kemi evoluar në shoqëri të vogla që ishin të kapura në luftë me shoqëri të tjera të vogla,” shpjegoi Haidt. “Natyra njerëzore është me të vërtetë e përshtatur mirë për konfliktin ndër-grupor, për luftën fisnore.”

Pra, kur edukatorët dhe studentët i filtrojnë njerëzit në identitetet e tyre të ndryshme dhe ngrenë idenë se veprimet dhe pikëpamjet e tyre përcaktohen pothuajse tërësisht nga ato identitete, ata po përforcojnë idenë se njerëzit janë automatikë bardh e zi dhe jo individë kompleksë, në nuanca të ndryshme të grisë.

“Në disa kampuse të kolegjeve dhe në disa shkolla të mesme ne shohim forma edukimi, forma trajnimi që i mësojnë studentët të bëjnë gjithnjë e më shumë dallime, të shohin gjithnjë e më shumë dimensione binare midis njerëzve”, shtoi Haidt. “Sa më shumë t’i inkurajojmë njerëzit që t’i shohin njerëzit rreth tyre si të mirët kundër të këqijve, aq më i vështirë do të jetë krijimi i një mjedisi gjithëpërfshirës dhe të larmishëm.

Ja përfundimi i Haidt: “Fëmijët janë anti – të brishtë, ne të gjithë jemi të prirur ndaj arsyetimit të motivuar dhe paragjykimeve konfirmuese, dhe të gjithë jemi të prirur ndaj të menduarit bardh e zi. Nëse duam të rrisim një brez fëmijësh që mund të përballen dhe pranojnë diversitete të të gjitha llojeve, të cilët mund të ecin para në një botë që është fizikisht mjaft e sigurt dhe megjithatë plot me përmbajtje atakuese./Burimi “BOTA.AL”

Leave a Reply