Big Brother: Spektakli që pasqyron kaosin psikologjik dhe social në shoqërinë tonë

0
48

Formati i Big Brother, i konceptuar si një eksperiment social që synon të argëtojë dhe të krijojë spektakël përmes vëzhgimit konstant të ndërveprimeve njerëzore, në kontekstin shqiptar shpesh pasqyron sfida më të thella që lidhen me mentalitetin, shëndetin mendor dhe sjelljet shoqërore. Përmbajtja e transmetuar, veçanërisht përmes rrjeteve sociale, manifeston konflikte të shpeshta, emocione të pamenaxhuara dhe modele sjelljesh që largohen nga normat e sjelljes së shëndetshme e konstruktive. Në vend që të shërbejë si një platformë për reflektim shoqëror apo argëtim cilësor, ky format shpesh përforcon modele disfunksionale të mendimit, emocioneve dhe sjelljes, duke ndikuar negativisht tek audienca, sidomos tek të rinjtë.

Aspekti kognitiv: Përceptime të shtrembëruara dhe mendim konfliktual

Një nga problematikat kryesore të Big Brother është paraqitja e modeleve të mendimit që shpesh janë irracionale dhe të bazuara në paragjykime, përceptime të shtrembëruara dhe logjikë konfliktuale, shpesh të shoqëruara me mungesë të aftësive të vetë-reflektimit, mendimit kritik dhe empatisë. Pjesëmarrësit veprojnë nën ndikimin e interpretimeve negative dhe mungesës së vetëvlerësimit të shëndetshëm, duke dështuar të tregojnë qasje konstruktive ndaj konflikteve dhe sfidave. Si rezultat, audienca ekspozohet ndaj një pasqyre të disfunksionit kognitiv, që jo vetëm normalizon këto modele të mendimit, por edhe përforcon stereotipe që dëmtojnë mirëqenien mendore dhe shoqërore.

Aspekti emocional: Shpërthime dhe disbalanca

Pjesëmarrësit në Big Brother shpesh manifestojnë nivele të larta të frustrimit, zemërimit dhe ankthit, emocione këto të papërpunuara dhe të pamenaxhuara që shfaqen përmes përplasjeve verbale, shpërthimeve dhe sjelljeve destruktive. Programi shpesh mbështetet në krijimin e tensioneve emocionale për të shtuar dramën dhe interesin publik, duke e shfrytëzuar ngarkesën emocionale si element argëtimi, në vend që ta trajtojë atë në mënyrë korrekte. Kjo qasje jo vetëm që dëmton marrëdhëniet brenda shtëpisë, por ndikon negativisht edhe tek audienca, sidomos tek të rinjtë, duke promovuar modele disfunksionale të menaxhimit të emocioneve dhe duke përforcuar sjellje të dëmshme si norma të pranueshme.

Aspekti sjellor: Konflikti dhe destruktiviteti

Në Big Brother shpesh promovohen sjellje konfliktuale dhe agresive. Përballë sfidave të izolimit dhe provokimeve, pjesëmarrësit shpesh zgjedhin rrugën e dhunës verbale, manipulimit dhe përjashtimit social si mjete për të fituar avantazh. Në një mjedis të shëndetshëm, konflikti trajtohet përmes dialogut dhe kompromisit, por këtu ai bëhet një spektakël destruktiv që shërben për të rritur audiencën, duke përforcuar modele sjelljesh disfunksionale. Për shikuesit, veçanërisht për të rinjtë, kjo krijon një shembull negativ, duke normalizuar sjelljet destruktive si një mënyrë për të fituar avantazh apo vëmendje.

Përtej eksperimentit: Pasojat sociale dhe një ndikim negativ për masën

Ndryshe nga pritshmëritë e një formati që mund të inkurajonte vetë-reflektimin apo zhvillimin e një qasjeje më të shëndetshme ndaj marrëdhënieve, Big Brother, në formën e tij aktuale, përforcon modelet e mendimit, emocioneve dhe sjelljes që janë larg normave të pranueshme dhe të dobishme.   Ai, nuk është thjesht një eksperiment pa kritere të qarta shkencore, por edhe një produkt që ndikon negativisht te masa e gjerë. Përmes spektaklizimit të disfunksionit emocional dhe sjellor, programi i mëson audiencës që agresiviteti, konfliktet e pamenaxhuara dhe manipulimi janë mjete të pranueshme për sukses. Për më tepër, ndikimi i këtij programi amplifikohet përmes rrjeteve sociale, duke ndikuar në perceptimin kolektiv mbi normat sociale dhe duke forcuar një mentalitet të patologjisë kolektive.

Konkluzion

Big Brother duhet të shihet si një pasqyrë e një krize të shëndetit mendor dhe kulturës sociale në vendin tonë. Formati aktual i programit promovon modele sjelljesh dhe mendimesh që janë më pranë kufijve patologjikë sesa atyre normalë. Për t’u kthyer në një burim potencial të edukimit dhe ndërgjegjësimit, është thelbësore që ky format të ridizajnohet me qëllime të qarta edukative dhe sociale. Nëse një eksperiment social dëshiron të ketë një ndikim pozitiv, duhet të pasqyrojë dhe të promovojë modele konstruktive të mendimit, emocioneve dhe sjelljes, jo vetëm për pjesëmarrësit, por edhe për shoqërinë që e ndjek. Ai mbetet një platformë argëtimi që, përmes spektaklizimit të disfunksionit shoqëror dhe emocional, pasqyron një realitet shqetësues për shëndetin mendor dhe vlerat sociale të shoqërisë shqiptare. Kjo qasje i shërben më shumë përfitimeve komerciale sesa ndonjë qëllimi konstruktiv për shoqërinë.

Shkruan: Dr. Sc. Latif Hoxha – Psikolog Klinik Specialist

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here