Bastisje në Suharekë: Policia gjen drogë, armë dhe mjete të rrezikshme te 19-vjeçari

0
122

Një aksion policor është zhvilluar më 11 mars 2026 në Suharekë, ku hetuesit kanë zbuluar drogë, armë dhe mjete të rrezikshme në banesën e një të dyshuari.

Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se bastisja është kryer në rrugën “Brigada 123”, pas një urdhërese të Gjykatës Themelore në Prizren.

Gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit Leonard Shukaj, 19-vjeçar, hetuesit e Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) kanë gjetur dhe sekuestruar: 178.72 gram marihuanë, 0.91 gram kokainë, një armë zjarri automatike (dyshohet me gas) me mbishkrim BLOW/SWAT pa numër serik dhe një karikator, 16 fishekë kalibri 9 mm, 4 shishe të përgatitura në formë artizanale, të dyshuara të mbushura me benzinë dhe të lidhura me fishek zjarr, 350 euro dhe 60 franga zvicerane, një telefon mobil, si dhe pajisje të tjera ndihmëse.    

Për shkak të rrezikshmërisë së mjeteve të gjetura, në vendin e ngjarjes është thirrur edhe njësia e EOD-s, e cila ka tërhequr shishet e përgatitura në mënyrë artizanale për asgjësim të sigurt.

Pas intervistimit dhe në konsultim me Prokurorin kujdestar të Departamentit për Krime të Rënda, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa i njëjti është dërguar në Qendrën e Ndalimit.

Ndaj tij pritet të ngritet kallëzim penal për veprat “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 267 dhe 366 të Kodit Penal të Kosovës.

Hetimet për rastin janë duke u zhvilluar nga DHTN – Njësia në Prizren./Gazeta Sinjali/

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here