Barcelona është në kërkim të një mesfushori qendre dhe emrat që lakohen janë disa. Martin Zubimendi i Real Sociedad është një nga emrat më të përfolur, por për të duhet të paguhen 60 milionë euro për ta transferuar në “Camp Nou”.
Katalanasit po shikojnë edhe alternativa të tjera nëse nuk marrin dot yllin e baskëve. Sytë i kanë hedhur në Portugali për mesfushorin e Sporting, Manuel Ugarte. Lojtari i kombëtares së Uruguait, ka tërhequr vëmendjen e Barcelonës dhe të disa klubeve angleze. Wolves dhe Tottenham interesohen gjithashtu për futbollistin 22-vjeçar.
Vera pritet të sjellë revolucion te Liverpooli. Në mesfushë priten ndryshime të mëdha, afrime dhe largime. Ka nga ato klube që do mundohen të përfitojnë, si Fenerbahçe. Gjiganti turk synon të bindë mesfushorin spanjoll Thiago Alcantara t’u bashkohet në fillim të sezonit të ardhshëm.
FotoMaç ka zbuluar edhe ofertën konkrete që pritet të dorëzojnë në zyrat e Liverpoolit. Fenerbahçe është e gatshme të ofrojë 8 milionë euro për shërbimet e Alcantara, i cili këtë sezon është aktivizuar në 14 ndeshje si titullar në Premier League. Më parë ai ka luajtur edhe me Bayern Munich dhe Barcelonën.