Deputeti nga Prizreni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, deklaroi se pa Asociacion, për dy vjet janë parë struktura kriminale të dirigjuara nga Serbia duke vendosur barrikada, plagosur policë e duke kërcënuar qytetarë.
Ai pyeti në Facebook se si mund të kërkohet themelimi i Asociacionit pa u shpërbërë strukturat kriminale në veri, pa u çarmatosur, pa dorëzim të armëve dhe pa kthim të mijëra qytetarëve në shtëpitë e tyre.
“Pa asociacion, pa asnjë kompetencë shtesë, vetëm për këto dy vite kemi parë struktura kriminale të dirigjuara nga Serbia tek vendosin barrikada, plagosin policinë, kërcënojnë qytetarët që bashkëpunojnë me institucionet e vendit. Imagjinoni këtë gjendje me një asociacion. Pra, si mund të kërkohet asociacion pa shpërbërje të strukturave kriminale në veri, pa çarmatosje, pa dorëzim të armëve, e pa kthim të mijëra shqiptarëve në shtëpitë e veta”, shkroi Rexhaj.
Aktualisht po mbahet një diskutim me dyer të mbyllura, i ftuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë për çështjen e themelimit të Asociacionit. Në këtë takim nuk po merr pjesë kryeministri Albin Kurti por anëtarë të kabinetit të tij.
Kurti ka deklaruar ditë më parë se është kundër Asociacionit njëetnik.