Asociacion monoetnik me kompetenca ekzekutive, që diferencon nivelin e pushteteve, nuk duhet themeluar me asnjë çmim. Edhe po të vijë në fund të ditës njohja e shtetit kosovar nga shteti serb në këmbim të një entiteti të tillë, këtë nuk duhet pranuar. Fundja, çfarë do t’i hynte në punë Kosovës njohja nga Serbia kur mund të sabotohet potencialisht nga ky subjekt brenda territorit të vet?
Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren
Çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKS) është riaktualizuar si njëra ndër temat më të përfolura në Kosovë që nga fillimi i vitit 2023. Shtytja e fuqive perëndimore që të hidhen hapa konkretë për zgjidhje të mosmarrëveshjeve midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë ka nisur të prodhojë ide e plane për ta jetësuar këtë synim.
Asociacioni dhe asociimi
Termi “asociacion” është kthyer në kryefjalë të opinionit publik. Andaj duhet zbërthyer në krye të herës kuptimin gjuhësor dhe juridik të tij. Fjalori shqip e përkufizon asociacionin si shoqërim. Ndërkaq, foljen asocioj e shpjegon si “e lidh me dikë; e fut a e përfshij diku”.
Kushtetuta e Kosovës e garanton lirinë e asociimit, duke përvijuar që ajo ngërthen të drejtën e secilit për të themeluar një organizatë pa pasur nevojë të sigurojë leje, për të qenë ose për të mos qenë anëtar i një organizate, si dhe për të marrë pjesë në aktivitete të një organizate (neni 44). Për nga kuptimi juridik, kjo nënkupton të gjitha llojet e tjera të asociacioneve, të cilat mund të kenë orientime të ndryshme veprimtarie. Duke filluar nga organizatat joqeveritare, shoqatat e ndryshme kulturore, shoqatat fetare, shoqatat profesionale e kështu me radhë, që të gjitha hyjnë në domenin e lirisë për asociim, domethënë lirisë për t’u bashkuar.
Statusi kushtetues i shoqërisë
Kosova nuk mund të themelojë asociacione me karakter monoetnik. Në të kundërtën rrënohet i gjithë projeksioni kushtetues që Republikën e Kosovës e cilëson shtet të shtetasve të vet (neni 1/2) dhe shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera (neni 3/1). Domethënë, vetë cilësimi kushtetues i shoqërisë si “shumetnike” ka për synim konfigurimin e një sistemi shoqëror që e vë konceptin e përbashkët të qytetarisë/shtetësisë para veçorive dalluese etnike. Kjo ngjan me konceptin e qytetarit europian, të cilën e ka azhurnuar së fundmi Traktati i Lisbonës (neni 20). Pra, kemi të bëjmë me përpjekje që tiparet dalluese të individëve dhe komuniteteve të lihen në plan të dytë dhe të ndodhë përafrimi i tyre në pikat e përbashkëta.
Statuset sipas rregullimit shtetëror
Shtetet mund të kenë rregullim unitar (të thjeshtë dhe me rajone autonome), federal e konfederal (kjo e fundit, tashmë rrallë).
Shtetet e caktuara adoptojnë rregullim federal në rastet kur territori i shtetit është i madh dhe nuk është i lehtë administrimi i secilës çështje nga një qendër e vetme (p.sh. Federata Ruse, India, SHBA-ja, Kanadaja, Meksika, Gjermania etj.) ose në rastet kur komunitetet konstituive të shtetit janë më të balancuara demografikisht (Belgjika, Bosnjë-Hercegovina, etj.). Në të vërtetë, në rastin e Kosovës nuk plotësohet asnjë prej këtyre kritereve e praktikave.
Nëse do të synohej që secili komunitet të jetojë me vetëqeverisje dhe ndaras, duke mos u përzier me njëri-tjetrin, atëherë shteti nuk do të përcaktohej si unik/unitar (neni 1/1), por do të ishte me karakter rajonal ose federal. Para së gjithash, territori i vogël i Kosovës e bën të pakuptimtë çfarëdo rregullimi përpos atij unitar të thjeshtë.
Tjetra është se megjithëqë shoqëria konsiderohet shumetnike, statistikat demografike tregojnë që mbi 90% e qytetarëve të Republikës së Kosovës janë të etnisë shqiptare. Në një vend me përqindje kaq të lartë homogjene etnike, nuk ka arsyetim as sociologjik dhe as juridik që të krijohen zona me statuse të veçanta në baza etnike. Nuk duhet harruar se në shtetet ku ka rajone autonome, ato ndodhin për shkak të numrit të konsiderueshëm të banorëve me identitet të ndryshëm nga shumica. Kurse në Kosovë kjo nuk është evidente. Serbët jo vetëm që përbëjnë një shifër të ulët (rreth 4%), por edhe nuk janë të dendur në vetëm një rajon gjeografik në Kosovë, por të shpërndarë gjithandej.
Plani Ahtisaari dhe Kushtetuta e Kosovës, si rrjedhojë e tij, nuk proklamojnë funksionim të shtetit duke i ndarë komunitetet. Përkundrazi, duke garantuar shkallë të gjerë vetëqeverisjeje të komunave i mundësohet të gjitha komuniteteve të ndiejnë shërbimet lokale dhe duke u garantuar kontingjent ulësesh në Kuvendin e Republikës si dhe vende të caktuara në secilin institucion shtetëror, u mundësohet komuniteteve të jenë pjesë e hartimit të politikave dhe zbatimit të tyre në nivel qendror. Në këtë kontekst, edhe gama e gjerë e të drejtave kushtetuese e ligjore të komuniteteve joshumicë lidhur me ruajtjen e identitetit të tyre, gjuhën, mediat, arsimin, kulturën, artin, shëndetësinë dhe raportet me “shtetet amë”, i japin të gjitha indikacionet e mjaftueshme për të kuptuar se ideja për themelimin e një asociacioni që pretendon “t’i avancojë” të drejtat e komunitetit serb është non sens dhe shpalos një objektiv me prapavijë të ndryshme nga ajo që afirmohet nga Serbia.
Me veçoritë që i kërkon Serbia për AKS-në, kjo do të jetë një trup i huaj që kurmin do ta ketë në territorin e Kosovës por kokën në Serbi. Meqë dihet se truri i komandon të gjitha gjymtyrët, nuk është vështirë e imagjinueshme se çfarë funksioni mund të ketë ai trup.
Krahasimi i AKS-së me Republika Srpska-n
Në opinionin publik kosovar AKS-ja potenciale dhe ende e pathemeluar ka zënë të krahasohet që tani me Republika Srpska-n në Bosnjë-Hercegovinë. Kështu, po përhapen konstatime të tipit që i cilësojnë si gati të njëjta këto dy entitete/subjekte juridike.
Për hir të korrektësisë profesionale, qysh në fillim duhet pohuar se AKS-ja në Kosovë, sipas versioneve të proklamuara nga planet jozyrtare që po qarkullojnë, nuk paraqet të njëjtën strukturë dhe as pozicion kushtetues me Republika Srpska-n. Së pari, Kosova nuk është konfederatë si Bosnja e sotme. Nga kjo nënkuptohet që autorizimet kushtetuese të AKS-së nuk mund të jenë të gjera sa të Republika Srpska-s. Kjo e fundit ka mëvetësi në vetëqeverisje, ka organet e veta të sigurisë, ekzekutivin, legjislativin e gjyqësorin. Së dyti, AKS-ja nuk do të ketë të drejtë të vetos për vendime të rëndësishme sikurse ka Srpska në Bosnjë. AKS-ja (gjithnjë sipas drafteve publike jozyrtare të deritashme) nuk do të jetë hisedar i pushtetit qendror, siç është Srpska atje.
A do të thotë kjo që AKS-ja nuk mund të jetë destruktive me efekte serioze negative në Republikën e Kosovës? Jo, ngaqë AKS-ja ndërkohë mund të marrë si model politikat e Republika Srpska-s dhe, në këtë mënyrë, të nxjerrë probleme të vazhdueshme. Ekzistojnë rreziqe potenciale të natyrës juridike dhe politike që mund të shpijnë de facto në përngjasimin e AKS-së me Srpska-n.
Nëse formohet Asociacioni sipas Parimeve të Marrëveshjes së vitit 2015 dhe disa ideve që janë përhapur në medie përgjatë viteve të fundit, atëherë Kosova nuk do të bëhet konfederatë a federatë, por as shtet i pastër unitar nuk do të vazhdojë të jetë. AKS-ja nuk do të gëzojë pushtet të nivelit qendror, por do të jetë organ me më shumë pushtet se pushteti lokal. Duke u bërë përfaqësues i komunave anëtare me shumicë serbe, AKS-ja e tejkalon pozicionin lokal/komunal, gjithsesi atë joqeveritar, dhe kthehet një instancë të ndërmjetme të pushtetit. Praktikisht, do të bëhet “urë lidhëse” midis komunave me shumicë serbe dhe pushtetit qendror. Porse nuk ka garanci nëse ura nuk do të kthehet në strukturë që më tepër ndan sesa bashkon dy pjesë: në këtë rast, pushtetin qendror dhe lokal. Përtej të gjithave, vetë Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh struktura të tilla. Edhe ashtu në Kosovë nuk flitet për një komunikim të shëndoshë midis komunave me shumicë serbe dhe Qeverisë qendrore. P.sh. serbët vazhdojnë t’i mbajnë jashtëligjshëm simbolet e shtetit serb në institucionet komunale. Megjithatë, kanalet komunikuese janë të hapura midis pushtetit qendror dhe komunave. Themelimi i AKS-së me kompetenca ekzekutive veçse e zëvendëson rolin e pushtetit qendror te komunat anëtare dhe mund të dëmtojë tutje marrëdhëniet midis komunave dhe Qeverisë.
Paradoksalisht, të gjitha këto mund të ngjajnë në një shtet ku të drejtat e minoritarëve janë tejet të zgjeruara dhe ku është e formuar një ministri e posaçme për komunitete dhe kthim, si dhe një ministri e posaçme për pushtet lokal.
Disa pyetje antitezë
Nisur nga sa u tha më lart, lindin disa pyetje qenësore:
– Para së gjithash, cilat qenkan barrierat në përfaqësimit e komunitetit serb në legjislativ apo avokimin e interesave të tyre në ekzekutivin e shtetit, sa për ta arsyetuar krijimin e AKS-së?
– Cilin boshllëk që nuk arrin ta mbushë me veprimtari dhe shërbim ndonjë ministri do ta mbuluaka AKS-ja?
– Ku çaluaka bashkëpunimi i komunave me shumicë serbe me qeverisjen qendrore në Prishtinë?
– Nëse Prishtina nuk shfaqka sa duhet gatishmëri të bashkëpunojë me këto komuna, si do të mund të kontribuojë AKS-ja që ta përmirësojë këtë gjendje?
– Dhe, e kundërta: nëse komunat serbe nuk priren për bashkëpunim me Prishtinën, atëherë si do t’i bindka AKS-ja që të ndërrojnë mendje për këtë? Vallë, duke i përfaqësuar/zëvendësuar ato në raport me pushtetin qendror?
Pyetje të tilla, që në vete përmbajnë antitezë, kanë përgjigje të thjeshta. Mirëpo, nuk është e qartë kjo trysni e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës që të pranojë të themelojë një organ të tillë kancerogjen për trupin e shtetit.
Konstatime
Asociacion monoetnik me kompetenca ekzekutive, që diferencon nivelin e pushteteve, nuk duhet themeluar me asnjë çmim. Edhe po të vijë në fund të ditës njohja e shtetit kosovar nga shteti serb në këmbim të një entiteti të tillë, këtë nuk duhet pranuar. Fundja, çfarë do t’i hynte në punë Kosovës njohja nga Serbia kur mund të sabotohet potencialisht nga ky subjekt brenda territorit të vet? Serbia e ka njohur edhe Bosnjë-Hercegovinën, mirëpo arrin ta destabilizojë institucionalisht përmes Republika Srpska-s. Edhe pse AKS-ja dhe Srpska nuk janë identike për nga pozita kushtetuese, prapëseprapë duhet shmangur vorbullën me probabilitet rrezikshmërie.
Nëse e kujtojmë përkufizim gjuhësor për asociacionin dhe asociimin, atëherë për çfarë bashkimi bëhet fjalë në rastin e AKS-së? Duket sheshazi se ajo nuk i bashkon më shumë komunat me shumicë serbe dhe pushtetin qendror. Përkundrazi, hyn midis tyre dhe pretendon t’i përfaqësojë komunat karshi Qeverisë së Republikës. Në anën tjetër, në pamje të parë duket se i bashkon më tej komunat me shumicë serbe mes vete. Por, edhe kjo është e paqëndrueshme, për të paktën dy arsye: e para, edhe legjislacioni aktual në Kosovë nuk i pengon komunat të bashkëpunojnë mes vete dhe e dyta, bashkimin monoetnik, të formuar si një bllok dhe të unifikuar kundruall pushtetit qendror, nuk e lejon Kushtetuta në fuqi.
A mund të paramendohet logjika e formimit të një asociacioni të komunave me shumicë shqiptare në Kosovë? Kjo analogji qëndron për shkak se pavarësisht përqindjes së popullatës, të gjitha komunitetet, përfshirë shqiptarët dhe serbët konsiderohen komunitete konstituive të shtetit kosovar. Kushtetuta i njeh këto komunitete që në fillesën e shtetësisë. Summa summarum, një asociacion i tillë nuk do të asociojë/bashkojë mirëfilli kurrkënd dhe për këtë arsye shpreh per se një antitezë.
AKS-ja monoetnike dhe me tagra autonomë mund të paraqesë precedent për rajonin. Shumëfish më tepër shqiptarë ka në Maqedoninë e Veriut sesa serbë në Kosovë. Ose shumëfish më tepër ka serbë në Mal të Zi sesa serbë në Kosovë. Mund të merren edhe shembuj të tjerë, por sikundërqë ndryshimi i kufijve mund të shkaktojë efekt domino në mbarë Gadishullin Ballkanik, po kështu edhe formimi i entiteteve me funksion autonom/vetadministrues mund të trasojë lëvizje të tilla. Për këtë arsye, të gjitha palët në dialog, përfshirë ndërkombëtarët, duhet të tregojnë kujdes të shtuar për hapat që do të hedhen në këtë drejtim.