Analistët: Masat hiqen gradualisht, ka kompromis për zgjedhje

0
169

Njohës të çështjeve politike në vend janë shprehur optimistë se gradualisht do të fillojë largimi i masave të vëna nga Bashkimi Evropian dhe se do të shpallen zgjedhjet e reja në komunat veriore pasi Kosova ka arrit kompromis në lidhje më këtë çështje.

E njohës të proceseve zgjedhore në vend po vlerësojnë se ekzistojnë disa mënyra për të shpallur zgjedhjet në këto komuna dhe se Serbisë duhet t’i bëhet presion nga ndërkombëtarët për mos bojkotimin e zgjedhjeve.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dje ka paralajmëruar se Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri të vendit pa u hequr masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian.

Analisti politik, Artan Muhaxheri, i tha Radio Kosovës se këto deklarata janë për përfitime politike pasi ky është një kompromis që e ka bërë Qeveria e Kosovës. Ai tha se masat kanë qenë një lloj leksioni për Qeverinë dhe se gradualisht do të largohen dhe do të shpallen zgjedhjet, pasi është arritur një kompromis në lidhje më këtë çështje.

“Masat kanë qenë një lloj leksioni i përkohshëm për kryeministrin Kurti se me çfarë mund të ballafaqohet nëse vazhdon t’i bllokojë projektet gjeopolitike dhe gjeostrategjike të BE-së dhe SHBA-së ndaj Kosovës. Kështu që me kompromisin e bërë nga Qeveria, Kurti, natyrisht që nuk ka as një logjikë që masat të vazhdojnë të qëndrojnë”, tha Muhaxhiri.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, i tha Radio Kosovës së edhe përkundër që Kosova është e gatshme të shpallë zgjedhjet dhe të zbatojë marrëveshjet, nëse nuk i bëhet presion Serbisë nga bashkësia ndërkombëtare që të mos e pengojë procesin zgjedhore, atëherë nuk do të kenë sukses as zgjedhjet e ardhshme.

“Serbisë duhet t’i bëhet presion që mos t’i pengojë dhe bojkotojë zgjedhjet përmes instrumenteve të saj legale dhe ilegale. Serbia e njeh presionin dhe frikën për arsye se në as një mënyrë nuk pranon marrëveshje. Vetëm në këtë mënyrë mund të ketë sukses dhe rezultat në ato zgjedhje. Mandej mund të ketë nxjerrjen e institucioneve të reja të cilat do të pranohen nga të gjithë banorët”, theksoi Baraliu.

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, i tha Radio Kosovës së janë disa mënyra për të shpallur zgjedhjet në veri të vendit, dhe se mënyra me lehtë do të ishte që kryetarët aktualë të ofrojnë dorëheqje në mënyrë vullnetare.

“Proceduralisht më e lehta do të ishte që kryetarët e komunave, pra kryetarët aktualë, të ofrojnë dorëheqje nga pozita e tyre si dhe opsion tjetër është edhe nënshkrimi i peticionit i cili kërkon që të paktën 20 % e qytetarëve me të drejtë vote ta nënshkruajnë. Dhe po që se kryetarët e komunave hipotetikisht ndërrojnë vendbanim nga komuna nga janë ata, automatikisht pozita e tyre do të mbetet vakante dhe do të shpallen zgjedhjet e reja”, tha Cakolli.

Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të paraqitura nga blloku evropian, Brukseli në fund të qershorit nisi të zbatonte disa masa ndëshkuese kundrejt Kosovës.

Qeveria e Kosovës është pajtuar më 10 korrik që të bëjë një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat veriore, pas verës.

Sipas marrëveshjes, Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here