469 kërkesa nga të burgosurit për lirim – Presidentja Osmani nuk e falë asnjë

0
126

Është viti i tretë më radhë që presidentja Vjosa Osmani nuk e ka falur asnjë të burgosur. Në këtë institucion nga viti 2021 deri më sot, numri i kërkesave të parashtruara për falje nga ana e personave të dënuar është 469.

Nga Zyra e Presidencës nuk kanë kthyer përgjigje se për cilat arsye nuk është aprovuar asnjëra kërkesë, pavarësisht se në zyre i kanë shkuar qindra kërkesa nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

“Numri i kërkesave të parashtruara për falje nga ana e personave të dënuar, prej vitit 2021 deri më sot, është 469. Shërbimi Korrektues i Kosovës, nga viti 2021 deri më sot, nuk ka pranuar Dekret nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës për falje të personave të dënuar”, thuhet në përgjigjen e ShKK-së.

Mosfalja e asnjë të burgosuri për kaq vite, sipas avokatit Ardian Bajraktari është dekurajim për këtë kategori. Ai ka thënë se falja si një kompetencë ekskluzive e institucionit të presidentes ndikon në masë të konsiderueshme në risocializimin e të burgosurve.

“Falja është kompetencë ekskluzive e institucionit të presidentit dhe e përcaktuar në nenin 84, sipas së cilës theksohet se presidenti apo presidentja e vendit shpallë faljen individuale sipas ligjit. Ndërsa, çështja e procedurës dhe çështja e kritereve dhe elementeve të tjera janë të rregulluara me Ligjin për faljen e miratuar në vitin 2009, kurse falja në vetvete nënkupton lirimin e plotë apo të pjesshëm të dënimit, zëvendësimin e një dënimi me një dënim më të butë ose lirim me kusht. Po ashtu, përfshin edhe çështjen e fshirjes nga evidenca e të dënuarit”, deklaroi Bajraktari.

“Natyrisht që falja si një kompetencë ekskluzive e institucionit të presidentes ndikon në masë të konsiderueshme në sjelljen e mirë të burgosurve dhe natyrisht nënkupton edhe risocializim dhe riedukim të tyre. Është një inkurajim që gjatë mbajtjes së dënimit të burgosurit të kenë sjellje të mirë sepse në fund mund të përfitojnë nga ky mekanizëm”, u shpreh ai.

Mosfalja e asnjë të burgosuri për kaq vite, sipas Bajraktarit është dekurajim për të burgosurit.

“Sa i përket shfrytëzimit të kësaj kompetence nga ana e institucionet të presidentit në tre, katër vitet e fundit nuk kemi asnjë person të falur, çka në bindjen time është një dekurajim për këtë kategori të personave sepse me sjellje të mirë mund të përfitonin nga instituti i faljes. Natyrisht që është kompetencë e presidencës dhe në këtë drejtim mos shfrytëzimi i kësaj kompetence është dekurajim dhe i mbetet në diskrecion të presidentes për të vlerësuar se pse nuk po e shfrytëzojnë këtë mekanizëm i cili do të ndikonte në risocializim dhe riedukim, dhe kur këta persona do të ktheheshin në shoqëri të kthehen në persona të dobishëm. Nuk ka pasur raste të burgosurve që kanë kërkuar procesin e faljes, mirëpo besoj që jam shumë i bindur që shfrytëzimi i këtij mekanizimi do të kishte ndikim në sjelljen e mirë të burgosurve”, ka thënë Bajraktari.

Kurse kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, ka thënë për Ekonomia Online, se presidentes Vjosa Osmani po i kalon mandati pa e përdorur të drejtën e saj kushtetuese.

“Presidentes po i kalon afati pa falur asnjë të dënuar për të qenë më saktë këtë vit i patë falur dy të dënuar mirëpo paraprakisht ata kanë qenë të liruar nga paneli për lirim me kusht. Deri tani asnjë i burgosur nuk ka përfituar falje nga presidentja zakonisht ka deri në katërqind kërkesa dhe për ne është e papranueshme dhe jo normale që në mesin e pesë të burgosurve hiqeni për katër vite vijnë dy mijë kërkesa që të mos jetë një i vetëm që i plotëson kushtet për falje. Ne vlerësojmë që ka shumë të burgosur të dënuar të cilët i plotësojnë kushtet për falje pa rrezikuar situatën e sigurisë”, ka thënë Shala.

Po ashtu ai mori shembull shtetin e Shqipërisë, ku sipas tij, e kanë shfrytëzuar këtë mekanizëm dhe kanë falur rreth një mijë të dënuar.

“Jemi bërë pak monoton duke kritikuar presidenten sepse të gjithë ato nenet për të cilat me ligj është e përjashtuar falja ka 100 mijë arsye të tjera të ketë falje për të dënuarit. Është e pa besueshme sepse në regjimet diktariolare ka falje të burgosurve është kjo mëshirë e shtetit është një shembull për të burgosurit e tjerë që duhet të sillen mirë, dhe për lustrim këtë vit Ministri i Drejtësisë në Shqipëri e kishte miratuar një ligj pas të cilët kanë përfituar thuaj një mijë të dënuar dhe është jo serioze sepse në Kosovë nuk ka shumë mekanizma shumë për falje të burgosurve, ligj për arrestime nuk ka është e drejtës kushtuese e presidentes me i falë të gjithë ata të cilët kërkojnë falje, kjo është për brengosje presidentja e Kosovës po abuzon me një të drejtë kushtetuese”, shtoi ai.

Tutje, Shala theksoi se falja e të dënuarve nuk përfshirë ata persona që recidivist i shumëfishtë është i dënuar për krime thuajse të pa falshme, por për ata të cilët i përmbushën kushtet e faljes.

“Askush nuk kërkon që ta falë një të dënuar i cili recidivist i shumëfishtë është i dënuar për krime thuajse të pa falshme, mirëpo ka të dënuar që ka vuajtur një pjesë të madhe të dënimit ka të dënuarit që vuajnë me sëmundje terminale, javën e kaluar një 50 vjeçare ka vdekur në burgun e Gjilanit, pikërisht për shkak të sulmit në zemër. Pikërisht këto raste të cilat ia rekomandon shërbimi shëndetësor i burgjeve qoftë gjykata, qoftë presidencës, asnjë nuk merret pas tyre, kemi në vit mesatarisht katër pesë raste kur të dënuarit vdesin i humbin jetën brenda në burg. Për ne është shumë e pakuptueshme se si në këtë mënyrë presidentja ia bënë shumë më të rëndë dhe ua vështirëson oficerëve Korrektues e detaje të burgjeve. E ngatërruan problemin pa asnjë nevojë në rastin kur kushtetuesja ia jep të drejtën presidentes që të falë një numër të caktuar të burgosurve”, theksoi Shala.

Ai potencoi se përveç që është dekurajim për të burgosurit, ua vështirëson punën edhe Shërbimit Korrektues, drejtorëve dhe familjarëve të burgosurve.

“Nëse nuk i falni të dënuarit atëherë ata të cilët punojnë me ta qoftë Shërbimi Korrektues, qoftë të tjerët, nuk kanë asnjë motiv që t’iu japin premtime të dënuarve se mund të përfitojnë diçka, kjo ndikon shumë tek të dënuarit tjerë. Ndërkaq mos falja ndikon të dënuarit e tjerë dhe pastaj përdorin masa alternative për tu larguar nga dënimi nga burgu siç kemi pasur disa raste këtë vit që kanë ikur nga burgu. Kjo ka dëme të shumëfishta dhe asnjë dobi, të gjithëve edhe oficerëve Korrektues, drejtorëve, familjeve të dënuarve dhe vetë të dënuarve por edhe neve që monitorojmë. Asgjë e mirë nuk del nga kjo mos falja nuk ndikon në uljen e kriminalitetit sepse presidentja e ka listën e saktë atyre të cilët i plotësojnë kushtet për faljen”, potencoi ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here