Përmbaruesit privatë gjatë zbatimit të vendimeve, shpesh herë hasin në telashe me qytetarët që janë debitor në procedurë përmbarimore. Ata mund të jenë cak i ofendimeve e kërcënimeve, gjë e cila ua vështirëson atyre kryerjen e detyrës zyrtare.
Një rast i tillë ka ndodhur sot në Prizren, ku një zyrtar i një zyre përmbarimore ka raportuar në Polici se ka qenë cak i kërcënimit nga një person i cili i detyrohet një borxh klientit të tij.
Sinjali mëson se sipas ankuesit gjatë kohës që po komunikonte me të dyshuarin në telefon, ky i fundit ka përdorur fjalë kërcënuese në drejtim të zyrtarit, çka ka bërë që ai të ndihet i shqetësuar dhe i frikësuar.
Njësitë policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit, ndërkohë që me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Kanosje’.