Presidenti i CFR Clujit, Iuliu Mureșan, ka konfirmuar shitjen e mesfushorit Lindon Emërllahu te klubi ukrainas Polissya Zhytomyr.
Ylli kosovar po kryen testet mjekësore dhe pritet që pas pak orësh të nënshkruajë kontratën. CFR Cluj do të përfitojë 1.5 milionë euro, si dhe ka të siguruar 15% në shitjen e ardhshme të lojtarit.
Mureșan për “gsp.ro” ka konfirmuar shitjen e Emërllahut, duke shtuar se skuadra rumune ka përfituar më shumë sesa ka investuar:
“Emërllahu është në Ukrainë që nga e mërkura. Ai duhet t’i kalojë testet mjekësore dhe gjithçka është e qartë. Nuk flasë për çmim, kurrë nuk e kam bërë. Mund të them se është biznes me përfitim për CFR-në, duke krahasuar se sa kemi investuar dhe sa po përfitojmë tani”, tha ai.
“Është plus. Kemi mbajtur edhe përqindje për të ardhmen. Është përqindja e njëjtë (15%) që vendosëm në kontratë me klubin në Ukrainë”, shtoi Mureșan.
FCSB gjithashtu kishte shprehur interesim për Emërllahun gjatë të kaluarës, por marrëveshja dështoi për shkak të çmimit.
Emërllahu këtë edicion ka zhvilluar 17 paraqitje në sezon, duke shënuar katër gola. Ai gjithashtu ka marrë pjesë në pesë paraqitje në kualifikuese evropiane – tre në Ligën e Evropës dhe dy në Ligën e Konferencës.
Në total, Emërllahu zhvilloi 41 paraqitje për Clujin, ku shënoi gjashtë gola dhe dhuroi tre asistime në të gjitha garat. Kujtojmë se ish-ylli i Ballkanit ka edhe 12 paraqitje për Kombëtaren e Kosovës.














































