Boksi është përfshirë të enjten në programin për Lojërat Olimpike Verore “Los Angeles 2028”. Vendimi u mor me votim unanim nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, duke i dhënë fund periudhës plot dyshime për të ardhmen olimpike të sportit të boksit.
Muajin e kaluar IOC-ja pranoi përkohësisht organizatën World Boxing, në hapin e madh drejt kthimit të boksit në Lojërat Olimpike. Ndërkohë vendimi i të enjtes siguron mbetjen e boksit në Lojërat Olimpike.
Fillimisht IOC-ja nuk e kishte përfshirë boksin në programin për LA 2028, për shkak se tërhoqi njohjen e organizatës IBA, të afërt me Rusinë. IOC-ja nuk e njeh IBA-në për shkak të keqqeverisjes. IOC-ja kërkoi që të formohet një organizatë tjetër e boksit dhe kjo ndodhi. Tashmë pjesë e World Boxing është edhe Kosova, ndërsa në këtë organizatë janë anëtarësuar mbi 80 vende.
Boksi vlerësohet prej sporteve më të rëndësishme në programin olimpik./Koha