Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kërkon takim urgjent me kryesuesin dhe anëtarët e KPK-së

0
37

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë përmes një e-maili drejtuar kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, i ka kërkuar atij mbajtjen e një takimi urgjent, ku do të sigurohet të jenë të pranishëm të gjithë anëtarët e Këshillit. Takimi u thirr pas zhvillimeve të fundit në këtë institucion.

E-maili të cilin e ka publikuar “Betimi për Drejtësi“, rezulton t’i jetë dërguar Hajdarajt nga ushtruesja e detyrës së shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, në të cilën takimi është kërkuar për datën 3 dhjetor.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e çështjes, është thelbësore që takimi të mbahet me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të KPK-së”, thuhet në e-mail.

Më poshtë e gjeni e-mailin e plotë:

“Si Ushtruese e detyrës së shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, dëshiroj t’ju kërkoj një takim urgjent të mërkurën, më 3 dhjetor, në orën 10:00 ose 11:00, varësisht nga koha kur jeni të disponueshëm ju dhe anëtarët e KPK-së, për të diskutuar zhvillimet e fundit në KPK, si vazhdim i çështjes së ngritur nga Ambasadori Orav në letrën e tij të 28 majit drejtuar anëtarëve të Këshillit.

Duke pasur parasysh rëndësinë e çështjes, është thelbësore që takimi të mbahet me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të KPK-së. Ju kërkojmë me mirësi të bëni organizimin për të siguruar që të gjithë anëtarët të kenë mundësinë të marrin pjesë.

Do të ishim mirënjohës nëse do të na konfirmonit kohën e zgjedhur të takimit; jam e gatshme t’ju bashkohem juve dhe anëtarëve të KPK-së në ambientet tuaja.
Faleminderit për bashkëpunimin, me respekt,
Eva PALATOVÁ

Zëvendës-shefe e Zyrës / Shefe e Stafit të Përfaqësuesit Special të BE-së“.

Ndryshe, Besim Kelmendi në mbledhjen e 20 nëntorit u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Vendimi u mor nga pesë anëtarë të Këshillit të pranishëm në atë takim, pasi fillimisht takimi u mbyll në mungesë kuorumi me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve tjerë nga kjo mbledhje. Ky vendim ka nxitur reagime të shumta dhe është cilësuar si kundërligjor. Vetë Kelmendi ka paditur KPK-në duke kërkuar anulimin e vendimit.

Ndërkaq, në mbledhjen e radhës e cila u mbajt të hënën më 1 dhjetor. në sallë mori pjesë edhe ushtruesi i ri i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, i zgjedhur nga pesë anëtarët e mbetur në mbledhjen e 20 nëntorit. Ai deklaroi se do të marrë pjesë vetëm si anëar ex-officio pa ndërhyrë në diskutime apo vendimmarrje deri në një vendim të gjykatës për rastin e kontestuar. Takimi u zhvillua mes debatesh, ku një pjesë e anëtarëve kërkuan largimin e tij nga mbledhja, duke argumentuar se prania e tij bën kuorumin e paligjshëm.

Pas përplasjeve verbale, disa anëtarë- përfshirë Visar Krasniqin, Veton Shabanin, Dardan Vuniqin dhe Arian Gashin lëshuan takimin, ndërsa për rend të ditës u propozua edhe shkarkimi i kryesuesit të KPK-së, Ardian Hajdaraj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here