Në Prizren qindra biznese për vite të tëra po kërkojnë funksionalizimin e Zonës Ekonomike. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 10 vjet, bizneset e Prizrenit ende nuk kanë arritur që ta kenë një shtëpi të tyre.
Më shumë se një dekadë më parë, qeverisja lokale e atëhershme e Prizrenit kishte caktuar 80 hektarë tokë për ndërtimin e “Parkut të Biznesit” në këtë komunë. Kanë kaluar shumë vite, ndërsa kjo zonë ende nuk është funksionalizuar. Afrim Tejeci nga Oda e ndërmarrësve dhe zejtarëve të Prizrenit thotë se kanë shpresuar shumë në funksionalizimin e kësaj zone, që do të ishte shkak edhe për punësime të reja.
“Qytetet e tjera janë të avancuara në këtë aspekt, ne si përfaqësues të komunitetit të biznesit edhe psae kemi vizita të shumta dhe interesim të madh për këtë zonë industriale, ende nuk kemi asgjë konkrete, për të ndihmua bizneseve, në mënyrë që kur të ndihmohen bizneset, së paku do të ketë vende të reja të punës dhe i vetmi vend i punësime janë këto zona industriale”, thotë Tejeci.
Ato investime që janë bërë deri më tani në këtë zonë, ndoshta nuk mund t’u përshtaten kërkesave të ekonomisë sonë, thotë Ediz Qabrati nga shoqata “Esnaf”.
“Sot është çështja e dekarbonizimit, çështja e ndotjes së ajrit, ndotjes së zhurmës, ndotjes së ujërave, të gjithë janë këto sene që duhet me u parashikua, për një park industrial të mirëfilltë, me standardet evropiane që ne duhet me doemos me i përmbush”, thotë Qabrati.
Zyrtarë të Komunës së Prizrenit bëjnë të ditur se deri në fund të këtij viti çdo gjë do të jetë gati për Parkun Nacional të Bizneseve në Prizren.
“Jemi në përfundim të komisionit i cili do të bëjë parcializimin e kësaj zone, ndërsa diku nga fundi i viti 2024, komuna e Prizrenit do të jetë e gatshme që, të formojë komisionin i cili do të bëjë thirrje publike që bizneset që dëshirojnë të zhvendosen në këtë zonë ta realizojnë një të drejtë të tyre dhe mendojmë në rritjen e të punësuarve”, thotë Ymer Berisha nga Zyra për marrëdhënie me publikun, në Prizren.
Ministrja Rozeta Hajdari ditë më parë në Prizren ka bërë të ditur se kanë siguruar buxhetin edhe për tri vitet e ardhshme për rreth 33 milionë euro, që do të përkrahin më shumë ndërtimin e parqeve industriale dhe atyre teknologjike, në Vushtrri, Suharekë, Viti, Lipjan Rahovec, për të vazhduar ndërtimet e parqeve të reja në vitet në vijim.
Në këto planifikimi nuk është përmendur Prizreni.
Në komunën e Prizrenit janë të regjistruara qindra biznese që kërkojnë të kenë një shtëpi të tyre, thonë përfaqësuesit e shoqatave./RTK