Zjarrin e madh në Suharekë dyshohet se e shkaktoi faktori njeri

0
386

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka thënë se zjarri në fshatin Sallagrazhdë dyshohet se u shkaktua nga faktori njeri.

“Diku në ora 19:30 ka filluar një zjarr mjaft i madh mbi fshatin Sallagrazhdë, ku po duket se faktori njeri është kryesor për ndezjen e tij. Këtu jemi bashkë me Policinë e Kosovës dhe zjarrfikësit, derisa falënderoj edhe shumë qytetarë që kanë ardhur. Pjesa më e madhe është shuar, derisa zjarrfikësit janë duke punuar akoma. Ka një thatësi të madhe dhe besoj se edhe këtë vit do të përballemi me zjarre të mëdha në komunën e Suharekës”, shtoi Muharremaj në Klan Kosova.

Ai ka thënë se dyshon se zjarri është shkaktuar nga faktori njeri, për shkak se tash, në muajin mars, nuk ka temperatura të larta që mund të shkaktojnë zjarre.

Muharremaj ka apeluar te qytetarët që të kenë kujdes të shtuar pasi parashihet se edhe këtë vit të përballemi me thatësi të madhe.

I pari i Suharekës ka apeluar edhe te qeveria e Kosovës që të shtojë numrin e zjarrfikësve në këtë komunë, duke thënë se janë veç 12 zjarrfikës, të cilët punojnë në katër ndërrime.

“Apeloj te qytetarët që të kenë kujdes këtë vit, sepse po duket se edhe sot faktori kryesor është njeriu. Kemi numër shumë të vogël të zjarrfikësve në komunën e Suharekës, të cilët i falënderoj që me të vërtet po e japin maksimumin. Apeloj te Qeveria e Kosovës dhe te ministria që të rrisin numrin e zjarrfikësve, pasi kemi vetëm 12 zjarrfikës, të cilët punojnë në katër ndërrime, që i bie që në ndërrim janë nga tre zjarrfikës”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here